Shfuqizohet Obamacare?! Republikanët: Kemi votat e nevojshme

508
Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan pritet të votojë ditën e sotme për platformën e prezantuar nga Donald Trump për shëndetësinë, e cila ka për synim të zëvendësojë planin e njohur si Obamacare. Lideri i grupit republikan shprehu bindjen se konservatorët i kanë votat e nevojshme për të kaluar aktin, por pavarësisht kësaj ekspertët mbeten skeptikë. Zëvendësimi i planit të ish-Presidentit Obama për shëndetsinë ka qënë një prej premtimeve më madhore të Presidentit aktual, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të përballet ditën e sotme për një test të vështirë, ndërsa platforma e tij për shëndetësinë, që ka për synim të zëvendësojë planin Obamacare, do të votohet ditën e sotme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.

Kreu i grupit të maxhorancës, Kevin McCarthy, në një deklaratë të mbajtur për mediat, shprehu besimin se republikanët kanë votat e nevojshme për të shfuqizuar projektin e ish-Presidentit Obama, si dhe për të prezantuar atë të Presidentit aktual, Donald Trump.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zëvendësimi i Obamacare nuk do të jetë një proçes i thjeshtë. Në muajin mars të këtij viti, Presdenti Trump e tërhoqi paketën përpara se të shkonte për votim, pasi sipas mediave republikanët nuk arritën të krijojnë një shumicë të nevojshme, pavarësisht se kryesojnë me shifra në të dyja dhomat e Kongresit.

Megjithatë, pritet të shihet nëse ditën e sotme ligji do të kalojë fazën e parë të miratimit. Në rast të një vote pro nga Dhoma e Përfaqësuesve, paketa do të dërgohet më pas në Senat.

Projekti i Trump për Shëndetësinë ka marrë kritika të ashpra jo vetëm nga demokratët, por edhe nga një pjesë e republikanëve. Kjo për shkak se miliona qytetarë do të humbasin kujdesin shëndetësor në rast se Obamacare do të shfuqizohet.

Zëvendësimi i planit të Obamës për shëndetësinë ka qenë një prej premtimeve më madhore të Presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj proçesi i votimit do të ndiqet me mjaft interes.
Sigal