SHBA-të gati të furnizojnë Ukrainën me “kapacitete të forcuara mbrojtëse”

509
Shtetet e Bashkuara thonë se kanë vendosur që Ukrainën ta furnizojnë me “kapacitete të forcuara mbrojtëse” për ta ndihmuar “në zmbrapsjen e mëtejshme të agresionit”.
Konsiderohet se kjo është një lëvizje që e thellon përfshirjen amerikane, ndërkohë që Ukraina lufton kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, tha mbrëmë vonë në Uashington se ndihma ka për qëllim ta ndihmojë Ukrainën, e cila për një kohë të gjatë ky synuar t’i shtojë kapacitetet për “mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj dhe për ta zmbrapsur më tutje agresionin”.
Rusia e ka dënuar me të shpejtë këtë vendim, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitje të luftës e jo për veprim ndërmjetësues.
“Shtetet e Bashkuara qartas po i shtyjnë autoritetet e Ukrainës kah gjakderdhja e re”, tha të shtunën zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov duke shtuar se: “Armatimi amerikan do të çojë në viktima të reja në fqinjin tonë”.
Në deklaratën amerikane nuk janë specifikuar llojet e armatimit, por rrjeti CNN dhe agjencia Associated Press, duke cituar zyrtarë të paemëruar amerikanë, kanë raportuar se në këto armatime përfshihen raketat antitank të tipit, Javelin.
Kjo shpallje u bë disa ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit tha se e ka miratuar një licencë për eksport për Ukrainën, që të blejë lloje të caktuara të armatimit të lehtë dhe të vogël nga prodhuesit amerikanë.
Me këtë licencë parashihet armatim, siç janë armët gjysmë-automatike dhe automatike të zjarrit, silenciatorë, pushkë të gjata, e të tjera.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka tërhequr vërejtje kundër lëvizjes së Shteteve të Bashkuara për furnizim me armatim vdekjeprurës në Ukrainë, duke thënë se kjo gjë do të shkaktonte intensifikim të konfliktit, dhe mund të ndikojë në separatistët që t’i zgjerojnë operacionet e tyre ushtarake.
Ukraina po zhvillon luftë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët i kanë nën kontroll pjesë të rajoneve, Donjeck dhe Luhansk, në pjesën lindore të këtij vendi. Gjatë kësaj lufte, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10,300 njerëz.
Disa armëpushime janë shpallur në kuadër të së ashtuquajturave Marrëveshje të Minskut, njëra në shtator të vitit 2014 dhe tjetra në shkurt të vitit 2015, megjithëqë ato kanë pasur pak sukses në terren.
Sigal