SHBA – Australi bashkëpunim ushtarak për stabilitetin në gadishullin korean

414
Shtetet e Bashkuara do të respektojnë marrëveshjen e hartuar me Australinë për rivendosjen e refugjatëve nga Irani, Iraku e Afganistani. Kjo u konfirmua nga zv/presidenti amerikan Pence, i cili është takuar me kryeministrin australian. Sipas Pence, SHBA gjithashtu do të kenë edhe bashkëpunim ushtarak me Australinë sa i përket vendosjes së stabilitetit në gadishullin korean.

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se do të implementojnë një plan të rivendosjes së emigrantëve, hartuar në bashkëpunim me Australinë.

Marrëveshja e arritur nga administrata paraardhëse amerikane, është quajtur “e kotë” nga presidenti Donald Trump, i cili duket se edhe njëherë, do të tërhiqet nga deklaratat e tij të nxituara.

Sidoqoftë, zv/presidenti i vendit, Mike Pence, pas takimit dhe konferencës së përbashkët me kryeministrin australian, Malcolm Turnbull, u shpreh se pavarësisht faktit se marrëveshja do të respektohet, kjo nuk do të thotë se ajo është domosdoshmërisht e admirueshme.

Australia ka refuzuar pranimin e refugjatëve, shumica e të cilëve vijnë nga Irani, Afganistani e Iraku. Këta refugjatë mbahen në dy qendra dënimi në Nauru dhe Papua Guinenë e Re. Gjatë dy javëve të para të presidencës së tij, Donald Trump konfirmoi se ai kishte patur një bisedë të ashpër telefonike me kryeministrin austrialian, kur ky i fundit e informoi presidentin mbi marrëveshjen. Por duket se marrëdhëniet mes palëve janë ngrohur ndjeshëm që prej këtij episodi. Konferenca për shtyp e Pence dhe Turnbull ishte në përgjithësi e karakterizuar nga lavdërime reciproke. Pence foli gjatë për një bashkëpunim ushtarak me Australinë dhe theksoi nevojën për të siguruar stabilitet edhe në gadishullin korean. Ai gjithashtu e përdori këtë rast për të lajmëruar mbërritjen e një grupi detar në Detin e Japonisë brenda disa ditësh.
Sigal