Sigal

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënohet sot 17-vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, sulme këto që shënuan një kthesë në rendin global.

Ceremoni përkujtimore do të mbahen në vendin ku dikur ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë, me dy kullat e saj binjake në Nju Jork, por edhe në ndërtesën e Pentagonit në Uashington.

Me mijëra vetë pritet të marrin pjesë në këto ceremoni. Vet presidenti Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shanksville të Pensilvanisë, ku u përplas avioni i katërt i rrëmbyer nga terroristët.

Rreth 3.000 persona humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit, pjesa më e madhe e tyre pas shembjes së dy kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, mbi të cilat u përplasën avionët e terroristëve.

Një tjetër avion u përplas mbi Pentagon, ndërsa i katërti, si pasojë e rezistencës heroike të pasagjerëve, u rrëzua në një fushë në Pensilvani. Këto kanë qenë sulmet më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane, pas të cilave asgjë nuk ishte njësoj si më parë, në SHBA, por edhe në botë.