BE dënon sulmin me raketa ndaj Ukrainës, Borrell: Bombardimet e fundit tregojnë se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është e sigurt

118
Sigal

Bashkimi Evropian ka dënuar raundin e fundit të sulmeve ruse në qytetet e Ukrainës dhe tha se bombardimet e fundit në Ukrainën perëndimore tregojnë se asnjë pjesë e vendit nuk është e sigurt.

“Ukraina po goditet nga sulmet më intensive me raketa nga Federata Ruse prej javësh. BE dënon granatimet e vazhdueshme dhe të paligjshme të civilëve dhe infrastrukturës civile nga forcat e armatosura ruse,” tha në një deklaratë të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. .

Zyrtari evropian tha se sulmet e fundit në Lviv dhe “qytetet e tjera në Ukrainën perëndimore tregojnë se asnjë pjesë e vendit nuk është e kursyer nga sulmi i pakuptimtë i Kremlinit”.

Borrell tha se BE-ja vazhdon të mbështesë hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në Ukrainë dhe i bëri thirrje Rusisë edhe një herë që “të ndërpresë menjëherë dhe pa kushte armiqësitë dhe të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake” nga vendi.