Senatori Menendez, i akuzuar për korrupsion, nuk pranon të dorëhiqet

45
Sigal

Senatori Bob Menendez është larguar përkohësisht nga posti i kryetarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, por ka refuzuar të japë dorëheqje si Senator, pavarësisht kërkesës nga Guvernatori i Nju Xhersit, shtet që përfaqëson në Senat zoti Menendez. Dorëheqja e mundshme e Senatorit, ndaj të cilit u ngrit aktakuzë penale për marrje ryshfeti nga një prokuror i Nju Jorkut, mund të ndërlikojë përpjekjet e demokratëve që të ruajnë shumicën e dobët në Senat.

Senatori demokrat Bob Menendez nuk do të japë dorëheqjen, duke hedhur poshtë kërkesën e guvenatorit demokrat të Nju Xhersit, Phil Murphy.

“Ato që janë paraqitur si fakte janë aq serioze sa rrezikojnë aftësinë e Senatorit Menendez për të përfaqësuar në mënyrë efektive popullin e shtetit tonë”, tha Guvernatori Murphy i cili ka të drejtën të zgjedh një zëvendësues të përkohshëm nëse zoti Menendez do të largohej.

Zoti Murphy nuk është zyrtari i vetëm demokrat që i bëri thirrje Senatorit Menendez që të dorëhiqet. Sidoqoftë, në deklaratën e parë që nga ngritja e akuzave nga prokurori federal Damian Williams në Manhatan, Senatori Menendez e bëri të qartë se nuk do të largohet nga posti i senatorit.

“Jam i vetëdijshëm se sa shpejt po nxitojnë disa të gjykojnë një latino dhe ta largojnë atë nga pozita e tij. Unë nuk do të shkoj askund”, tha ai në një deklaratë mbrëmjen e së premtes.

Megjithatë, sipas udhëheqësit të shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, rregullat e brendshme partiake e detyrojnë zotin Menendez të largohet përkohësisht nga pozita e Kryetarit të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, derisa të zgjidhet çështja kundër tij.

Të premten, prokurori Williams ndërsa konfirmoi aktpadinë kundër zotit Menendez, bashkëshortes së tij, Nadine dhe tre biznesmenëve nga Nju Xhersi, dha detaje për atë që u gjet në shtëpinë e senatorit amerikan.

“Agjentët e FBI-së zbuluan rreth 500,000 dollarë të futura në zarfe dhe dollapë. Një pjesë e parave u gjetën në xhepat e xhaketës së senatorit. Në disa nga zarfet me para u gjetën gjurmët e gishtërinjve të një prej biznesmenëve të akuzuar. Agjentët zbuluan gjithashtu shumë flori të dhënë nga biznesmenët Fred Daibes dhe Wael Hana. FBI-ja gjeti edhe Mercedesin që biznesmeni i tretë i akuzuar, Jose Uribe u dha atyre”, sqaroi Prokurori Williams.

Sipas zyrës së Prokurorit të Manhatanit, senatori dhe bashkëshortja e tij, akuzohen se kishin pranuar mijëra dollarë në formë ryshfeti, në këmbim të përdorimit të pushtetit dhe ndikimit të zotit Menendez si senator, për t’u ofruar mbrojtje, si dhe përfitime biznesmenëve dhe qeverisë së Egjiptit.

Agjencitë e lajmeve kanë nxituar të publikojnë fotografi dhe video nga takimet e mëparshme të zotit Menendez me zyrtarë egjiptian, siç janë pamjet nga takimi i Senatorit amerikan me Ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shukry në Kajro, më 14 tetor 2021.

Arsyeja për këtë është se prokurorët thanë se biznesmeni Wael Hana, me origjinë nga Egjipti, ka organizuar nga viti 2018, darka dhe takime mes zotit Menendez dhe zyrtarëve egjiptianë, gjatë të cilave zyrtarët e nxitën zotin Menendez t’u sigurojë informacione mbi çështjen e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Egjiptin.

Në këmbim, sipas prokurorëve, zoti Hana futi Nadine Menendez në listën e pagave të punonjësve të kompanisë së tij.

“Së pari, aktakuza pretendon se Senatori Menendez përdori pushtetin dhe ndikimin e tij, përfshirë rolin udhëheqës në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, për të përfituar nga qeveria e Egjiptit në mënyra të ndryshme. Ndër veprimet e tjera, Senatori Menendez dyshohet se u ka ofruar zyrtarëve egjiptianë informacione të ndjeshme, jopublike të qeverisë amerikane dhe ka ndërmarrë hapa për të ndihmuar në fshehtësi qeverinë e Egjiptit”, tha ndër të tjera prokurori Damian Williams.

Zoti Menendez, i cili po ushtron mandatin e tij të tretë, ka thënë se ka në plan të kërkojë rizgjedhjen vitin e ardhshëm.

Hetimi mund të ndërlikojë përpjekjet e demokratëve për të zgjeruar shumicën e tyre të vogël prej vetëm dy votave më shumë se kundërshtarët republikanë në Senatin prej 100 anëtarësh.

Senatori me origjinë nga Kuba ka qenë kundërshtari më i ashpër demokrat ndaj politikave të Presidentit Biden për zbutjen e qëndrimit ndaj Kubës dhe Venezuelës.

Ai ka qenë gjithashtu një nga kritikët më të zëshëm në Senat ndaj Arabisë Saudite dhe Princit Mohammed bin Salman, veçanërisht për marrëveshjet e mëdha të armëve për mbretërinë./VOA