Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry: Në Siri, u përdor gazi ‘sarin’

402
Sigal

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se, testime të pavarura kanë konfirmuar përdorimin e gazit “sarin” në sulmin e muajit të kaluar në Damask. Këto komente Sekretari Kerry i bëri një ditë pasi Presidenti Barack Obama njoftoi se do të kërkojë miratimin e Kongresit para se të ndërmarrë ndonjë sulm ushtarak kundër qeverisë siriane në përgjigje të përdorimit të armëve kimike. Sekretari Kerry tha dje  se mostra flokësh dhe gjaku, që Shteteve të Bashkuara iu dhanë nga ekipe të përgjigjes së shpejtë në vendin e ngjarjes, kanë shfaqur “shenja të gazit ‘sarin”. Pasi Presidenti Obama tha dje se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë në Siri, por se ai do të presë miratimin e Kongresit, zoti Kerry shprehu bindjen se ligjvënësit amerikanë “do të marrin vendimin e duhur”. “Nuk besoj se ish-kolegët e mi në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve do t’i kthejnë shpinën të gjitha interesave tona, besueshmërisë së vendit tonë dhe normave të lidhura me ndalimin e përdorimit të armëve kimike që kanë qenë në fuqi që në vitin 1925”. Por ai shtoi se presidenti ka autoritetin të veprojë pavarësisht vendimit të Kongresit. 

Pardje, Presidenti Obama vendosi të shtyjë atë që pritej të ishte një sulm ushtarak kundër Sirisë, duke kërkuar miratimin e Kongresit.  “Kam besuar për një kohë të gjatë se pushteti ynë e ka bazën jo vetëm tek fuqia e ushtrisë tonë, por në shembullin tonë si një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin dhe kjo është arsyeja që ndërmora vendimin e dytë. Unë do të kërkoj autorizim për përdorimin e forcës nga përfaqësuesit e popullit amerikan në Kongres”. Presidenti e cilësoi sulmin në një rrethinë të Damaskut para gati 2 javësh si sulmin më të rëndë me armë kimike të shekullit të 21-të dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë ‘një sy qorr” ndaj kësaj situate.