‘Scheherazade’, superjahti misterioz 700 milion dollarësh që thuhet se i përket Putinit

134
Sigal

Prej disa muajsh, superjahti misterioz 140 metra i gjatë me gjashtë kuverta ngrihet mbi varkat më të vogla në port në Carrara, qytet në bregun toskan në Itali. Në qytet diskutohet shumë për identitetin e pronarit të tij të pasur.

‘Është jahti më i madh që kam parë ndonjëherë’, thotë Suzy Dimitrova, e cila ka një varkë në portë. ‘Ka njerëz që e pastrojnë gjithë kohën. Herën e fundit që e pashë të dilte nga porti ishte vitin e kaluar. Të gjithë vrasim mendjen se cili mund të jetë pronari’.

Jahti me emrin ‘Scheherazade’, për të cilin thuhet se vlen 700 milion dollarë, është nën hetim nga autoritetet italiane për lidhje të mundshme me rusët nën sanksione. Aktivistët që punojnë me liderin e burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalni, nuk kanë dyshime se jahti i përket presidentit rus Vladimir Putin.

Të hënën, gazetarja investigative Maria Pevçih dhe aktivisti anti-korrupsion Georgi Alburov thanë se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë rusë, me përjashtim të kapitenit. Në një video të publikuar në YouTube, ata deklarojnë se disa nga punonjësit e jahtit kanë punuar për Shërbimin Federal të Mbrojtjes (FSO), një agjenci ruse që angazhohet me sigurinë e zyrtarëve të rangut të lartë, përfshirë Putin.

Aktivistët, të cilët iu kanë bërë thirrje autoriteteve italiane të sekuestrojnë jahtin, thonë se ky informacion provon se ai i përket Putinit. ‘Ata janë punonjës shtetërorë rusë, personel ushtarak, dhe udhëtojnë rregullisht në grup drejt Italisë për të punuar në jahtin misterioz’, shkroi Pevçih në Twitter.

Interiori i anijes përshkruhet si i pajisur me një spa, pishina noti, dy platforma helikopteri, një vatër zjarri, dhe një tavolinë bilardoje e projektuar të vetëbalancohet për të reduktuar impaktin e dallgëve.

Në fjalën para parlamentit italian të martën, presidenti ukrainas Zelenski i bëri thirrje Italisë ta sekuestronte jahtin, duke shtuar se Putin dhe përkrahësit e tij të pasur shpesh i kalonin pushimet në Itali dhe duhej t’iu bllokoheshin pasuritë.

Image

‘Mos u bëni resort për vrasësit’, tha ai. ‘Kyçuani të gjitha pronat e patundshme, llogaritë dhe jahtet, nga Scheherazade te ata më të vegjlit’.

Vizita e fundit zyrtar e Putinit në Itali ka qenë më 2019, me ftesë të kryeministrit të atëhershëm Giuseppe Conte. Ai u takua edhe me Papa Françeskun në Vatikan gjatë vizitës.

Carrara është pranë Forte dei Marmi, një vend i preferuar për pushime nga oligarkët rusë, shumë prej të cilëve kanë blerë vila dhe resorte polazhi.

Në fillim të marsit, policia italiane sekuestroi një jaht në pronësi të Aleksei Mordashov, njeriu më i pasur në Rusi para se të hynte në listën e zezë të Bashkimit Evropian; dhe një tjetër në portin e Imperias në bregdetin ligur, në pronësi të Genadi Timçenko, një miliarder me lidhje të ngushta me Putin.

Misteri mbi pronarin e jahtit u shtua këtë muaj kur Guardia di Finanza e kontrolloi pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të BE kundër oligarkëve rusë pas sulmit të kundër Ukrainës.

Policia mori dokumentet e pronësisë nga kapiteni britanik i jahtit, Guy Bennett-Pearce. Në at kohë, zyrtarë amerikanë thanë për New York Times se edhe ata po hetonin nëse jahti i përkiste Putinit.

Italian Sea Group, kompania që merret me punimet e mirëmbajtjes e të arredimit, bëri të ditur se punimet me vlerë 6 milion euro do të vazhdonin, pavarësisht sanksioneve të BE dhe se, sipas dokumenteve në zotërim të saj, jahti ‘nuk iu atribuohej pasurive të presidentit rus Vladimir Putin’ dhe as nuk ishte pronë e ndonjë rusi në listën e sanksioneve.

Një burim në njësinë e Guardia di Finanza në Carrara tha se tashmë e kanë të qartë se cili është pronari dhe shpejt do të bëjnë një njoftim.

Një investigim i kryer më herët nga La Stampa e lidhi jahtin me Eduard Jurieviç Hudainatov, ish-president i kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, përmes një kompanie guaskë të regjistruar në ishujt Marshall.

Por thuhet se policia italiane është e sigurt se Hudainatov nuk është pronari i vërtetë i jahtit. ‘Duket se ai është një person i lidhur me rrethin e ngushtë të Putinit, por jo aq i pasur sa të ketë një jaht si Scheherazade’, tha Jacopo Iacoboni, gazetari i La Stampa që bëri investigimin.