Rritet numri i viktimave në Itali, si pasojë e përmbytjeve në rajonin e Emilia Romagnës. Mediat italiane raportojnë se nga vërshimet kanë humbur jetën 14 persona, ndërsa sot u gjet trupi i pajetë i një 70-vjeçari.
Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë, pasi disa persona rezultojnë të zhdukur. Moti këtë të premte pati përmirësim, megjithatë punonjësit e emergjencave thonë se ka ende zona ku nuk është ndërhyrë. Veç përmbytjeve masive, në 48 zona të banuara të Emilia Romanjës janë regjistruar 280 raste të rrëshqitjes së tokës.
Mbi 10 mijë janë banorët e mbetur pa strehë, ndërkohë dëmet parashikohen në miliarda euro, ndërsa gjendja e katastrofës natyrore vazhdon të jetë në fuqi. Sinoptikanët parashikojnë përkeqësim të situatës, pasi pritet një ciklon i ri që do të godasë gjithë vendin gjatë orëve në vazhdim.