Greqia ka përjetuar një prej javëve më dramatike sa i takon bilancit tragjik të vdekjeve nga covid-19. Me 98 viktimat e ditës së diel vetëm këtë javë kanë humbur jetën 794 persona, ndërsa prej fillimit të pandemisë 2321 qytetarë.
Gjithashtu mbetet i lartë numri i të intubuarve, 603, ndërsa rastet në 24 orët e fundit kanë qenë të pakta, 1193, për shkak edhe të numrit të ulët të testeve, ndërsa në total kjo shifër ka shkuar në mbi 104.000 të prekur.
Edhe Financial Times me një grafik dhe një artikull në orët e fundit ka vërtetuar se Greqia pas 24 Nëntorit ka regjistruar rekord vdekjesh për 100.000 banorë, duke kaluar edhe shifrat mesatare të vdekjeve në SHBA, BE dhe Britani.
Ndërkohë drejtori i spitalit Papanikolau, një prej spitaleve të mëdha të Selanikut, ka deklaruar se qeveria nuk duhet të lehtësojë masat e mbylljes së përgjithshme që ka filluar thuaje prej fillimit të Nëntorit, sepse sidomos për Selanikun që regjistroi në datën 25 të këtij muaji, numrin më të madh të vdekjeve, do te ishte një tragjedi kombëtare.
Pjesëtarë të kabinetit qeveritar, në këshillim edhe me grupin e specialistëve të pandemisë, duket se sugjerojnë që të paktën deri për Krishlindje, madje edhe pas tyre, të mos hapen fare restorantet.
Gjithashtu shqetësim i madh ekziston për gjendjen e sistemit spitalor në Greqinë e Veriut, ku përveç Selanikut , spitalet e të cilit punojnë në limit të plote, gjendje dramatike ekziston edhe tek spitalet e Pelles, Edeses, Drames, Kavales dhe Volosit.
Janë dhjetëra raste ne dite ku shume paciente tashme transferohen ne spitale te tjera te vendit nga këto qytete, pasi nuk ka shtretër me intubim apo dhoma të veçanta të terapisë intensive dhe numri i atyre që shtrohen është shume herë më i madh se i atyre që dalin të shëruar.