Refugjatët sirianë drejt Shqipërisë

521
Pas bllokimit të kufijve nga Maqedonia, Serbia dhe Sllovenia, e vetmja rrugë kalimi për në BE për refugjatët sirianë është nëpërmjet Shqipërisë.
Televizioni publik grek ka lajmëruar se dje 100 persona janë vendosur në Konicë, shumë afër kufirit shqiptar. Fillimisht Greqia anuloi planet për të vendosur refugjatë në kufirin shqiptar, por si duket pas bisedimeve mes dy shteteve ka ardhur dhe kontigjenti i parë, që nëse hapet kufiri, ata do jenë të parët që do kalojnë në territorin shqiptar. Nga ana tjetër, mediat greke kanë lajmëruar se vendosja e tyre aty vjen pasi Greqia pretendon se qeveria shqiptare do ndryshojë qëndrim dhe do hapë kufirin.
CNN grek i ka kushtuar një shkrim krizës së refugjatëve, duke mbajtur titullin: “Refugjatët, rrugët e reja drejt Evropës”. Sipas tij, rruga alternative është kalimi përmes Shqipërisë, teksa ka paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për marshimin e refugjatëve në këmbë nga Greqia drejt Shqipërisë. Në shkrim janë përmendur dhe rrugët që pritet të ndiqen prej tyre, që janë ato shtigje dhe rrugica që i kanë përdorur prej vitesh shqiptarët për të shkuar në qytetet greke. Sipas CNN grek, këto rrugica pritet që shumë shpejt të shërbejnë si rrugë kalimi e refugjatëve sirianë drejt Shqipërisë, më pas në Itali e në vende të tjera të BE. “Rrugët e paligjshme në kufirin shqiptaro-grek, të paarritshme dhe të fshehura në male, që janë përdorur gjerësisht në fillim të viteve 1990, mbeten gjithmonë aktive”, është shprehur CNN grek.
Sigal