Qeveria gjermane miraton ligjin e ri për emigrantët, ja kush përfiton

143
Sigal

Qeveria gjermane ka miratuar ditën e sotme projektligjin e ri për migracionin, i cili synon t’i japë fund praktikës së deritanishme të zakonshme të emigrantëve të paligjshëm dhe dëbimit të tyre.

Ligji prek ata azilkërkues të refuzuar, që në datën 1 janar 2022 kanë qenë prej të paktën pesë vite banues në Gjermani. Nëse miratohet nga Bundestagu, sipas projektligjit aktual, atyre do t’u jepet një leje qëndrimi njëvjeçare, ndërsa të rinjve një leje deri trevjeçare. Gjatë këtij viti do të kenë të drejtë të mësojnë gjuhën, të gjejnë një vend pune dhe të sigurojnë dëshminë e identitetit. Nëse ia dalin, atëherë fitojnë të drejtën e përhershme të qëndrimit. Kushti është që të pranojnë rendin e vlerave kushtetuese të Gjermanisë, tha ministrja e brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.

Por edhe ata që ende nuk përfitojnë lejen njëvjeçare të qëndrimit do të kenë mundësi të hyjnë në kurse gjuhe dhe kurse integrimi.

“Për ne është gjithnjë me rëndësi ndërmjetësimi i vlerave dhe gjuhës sonë edhe tek ata që janë përkohësisht në Gjermani”, tha ministrja gjermane Faser.

Deri tani në shumë lande aksesi i të huajve në kurset e integrimit varet nga perspektiva e qëndrimit të tyre. Projektiligji gjithashtu parashikon lehtësime për punëtorët e kualifikuar dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Ne duhet të fitojmë fuqinë punëtore që na duhet në shumë sektorë. Prandaj edhe personave të kualifikuar do t’i lejojmë t’i sjellin familjet e tyre në Gjermani pa pasur nevojë për dëshmi të kursit të gjuhës”, tha Faser.

Nga ana tjetër ligji parashikon zbatim më të ashpër të dëbimeve nga Gjermania për të dënuarit për vepra penale dhe personat që kanë deklaruar një identitet të rremë.

“Të dënuarve penalisht do t’u hiqet më lehtë e drejta e lejes së qëndrimit. Proceduarat administrative do të thjeshtohen”, tha Faser.

Sipas saj, do të bëhet më e lehtë që ata të dërgohen në arrest dëbimi për të penguar kështu që të hyjnë në ilegalitet para se të dëbohen. Projektligji i ri duhet të miratohet nga Bundestagu në shtator