Putin ‘zbutet’ pas bisedës me Biden: Bisedimet janë konstruktive dhe dialogu mund të vazhdojë më tej

173
Sigal

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të mërkurën se vendi i tij do t’i dërgojë propozime Uashingtonit brenda një jave, pas bisedimeve rreth Ukrainës me homologun amerikan, Joe Biden, një ditë më parë.

Putini u tha gazetarëve se bisedimet kanë qenë të hapura dhe konstruktive dhe se gjëja kryesore ishte që ekziston mundësia për ta vazhduar dialogun, shkruan Reuters.

Megjithatë, ai i quajti provokuese sugjerimet se Rusia është duke planifikuar që ta sulmojë Ukrainën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka treguar drejtpërdrejt homologut rus, Vladimir Putin, se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të përgjigjen, nëse Rusia e pushton edhe më tej Ukrainën, sipas këshilltarit për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Pas samitit virtual mes dy presidentëve, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se Uashingtoni është duke përgatitur përgjigje të fuqishme specifike në javët e ardhshme, nëse ato kërkohen.

“Gjërat që nuk i kemi bërë në vitin 2014 jemi të përgatitur që t’i bëjmë tani”, tha ai, duke iu referuar reagimeve të Perëndimit ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia.