Sigal

Rishfaqen problemet për Benfikën. Sipas medias portugeze, drejtuesit e skuadrës luzitane që njihet ndryshe si ‘shqiponjat’ e Lisbonës, janë akuzuar së bashku me ish këshilltarin ligjor, Pedro Gonsalves e dy funksionarë gjyqësorë për tentativë të fiksimit të rezultateve të disa prej ndeshjeve të kampionatit në Portugali.

Një histori kjo që është shfaqur prej kohësh dhe që është pasuruar me një kapitull të ri. Sipas ‘O Jornal Economico’(O Zhornal Ekonomiko) kanë dalë në dritë disa emaile që vërtetojnë se klubi i kryeqytetit portugez u ka ofruar arbitrave shërbime prostitutash dhe pagesën e dhomave të hotelit të tyre.

Duket se lajmet në lidhje me ‘benficagate’ e ri kanë dalë në dritë falë hakerit portugez Rui Pinto për të cilin është lëshuar edhe një mandate arresti ndërkombëtar.

Kjo akuzë e publikuar nuk e ka lënë indiferentë skuadrën e Benfikës që ka reaguar nëpërmjet komunikatave për shtyp në kanalet e saj të komunikimit duke i mohuar me forcë akuzat e publikuara.

Kjo histori e njohur në Portugali me emrin ‘E-Toupeira’ zgjate prej një muaji. Akuzat e Prokurorisë në drejtim të klubit janë korrupsion pasiv, favorizime personale, shkelje e sekretit të drejtësisë dhe informacione false.

Sipas organit të akuzës, funksionarët e Benfikës të përfshirë në këtë skandal i kanë dhënë Pedro Gonsalves informacione të rezervuara në lidhje me disa procedime në lidhje me klubet rivale, informacione që u siguruan nëpërmjet korrupsionit dhe shkëmbimit të favoreve, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.