Presidenti Trump njofton tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit për klimën

544
Të enjten në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump njoftoi vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja do të shkaktonte humbjen e mijëra vendeve të punës në vend. Ai tha se marrëveshja do të pengonte rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtonte familjet amerikane.
Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re mbi ndryshimet klimatike që do të jetë më e mirë për popullin amerikan.
“Marrëveshja e Parisit për Klimën është një shembulli i hyrjes së Uashingtonit në marrëveshje që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti Trump, duke shtuar se “që nga ky moment ne do t’i japim fund zbatimit të marrëveshjeve të padetyrueshme.”
Marrëveshja e nënshkruar nga parardhësi i presidentit Trump, ish presidenti Barack Obama në vitin 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 194 vendeve.
Vendimi për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, vjenë disa ditë pas debateve mbi atë nëse Presidenti Trump do të përmbushte premtin e tij elektoral për tërheqje nga kjo marrëveshje.
Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vjetnamez Nguyen Xuan Phuc, zoti Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet.
Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, shënon një hap prapa në politikat ambjentaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Tërheqja do të entuziazmojë bazën republikane të presidentit, por do të revoltonte ambjentalistët dhe aleatët e Amerikës.
Sigal