Presidenti Trump fillon bisedimet në Pekin

553
Presidenti i SHBA Donald Trump filloi sot vizitën e tij dy-ditore në Kinë, me një tur në kryeqytetin Pekin. Nën shoqërimin e presidentit kinez Xi Jinping ai vizitoi kompleksin historik, të njohur si Qyteti i Ndaluar. Me ta ishin ishin edhe Zonja e Parë Melania Trump dhe bashkëshortja e presidentit Xi, Peng Li-Yuan.
Presidentët Trump dhe Xi filluan dy ditë takime që do të përqëndrohen tek tregtia dhe programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut.
Zoti Trump ka kërkuar që Kina të jetë më agresive në trajtimin e Koresë e Veriut, edhe pse Pheniani është partneri i saj i rëndësishëm tregtar.
Po të mërkurën, gjatë një fjalimi në parlamentin e Koresë së Jugut, Presidenti Trump i bëri thirrje udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un që të heqë dorë nga të gjitha armët e tij bërthamore në këmbim të shanseve për të hyrë në “një rrugë më të mirë”, siç u shpreh ai.
Ai paralajmëroi gjithashtu regjimin koreanoverior që të mos i provokojë Shtetet e Bashkuara.
“Sot shpresoj të flas jo vetëm në emër të vendeve tona, por për të gjitha vendet e qytetëruara kur i them Veriut që të mos na nënvlerësojë dhe të mos na verë në provë. Ne do të mbrojmë sigurinë tonë të përbashkët, begatinë tonë të përbashkët dhe lirinë tonë të shenjtë. Nuk ishim ne që zgjodhëm të dislokojmë forca në këtë gadishull,” tha Presidenti Trump.
Fjalët e tij morën peshë të veçantë nga prania e tre grupeve sulmuese të aeroplanmbajtëseve dhe nëndetëseve bërthamore, që presidenti tha se “janë dislokuar siç e kërkon situata” pranë gadishullit.
Presidenti Trump tha se bota nuk mund të tolerojë kërcënimin e një regjimi të papërgjegjshëm që e kërcënon atë me shkatërrim bërthamor.
Përgjithësisht zoti Trump foli me tone më optimiste për rolin e diplomacisë gjatë vizitës në Seul, ku përfshiheshin takime me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
Ai tha se është bërë përparim për të ulur tensionet e shtuara në rajon. Fjalët e presidentit shënonin një distancim të dukshëm nga tonet e tij në Tweeter javët e fundit, kur la të kuptohej se bisedimet me Phenianin për të zgjidhur krizën bërthamore ishin “humbje kohe”.
Sigal