Presidenti Joe Biden takon Papa Françeskun

131
Sigal

Presidenti Joe Biden u takua sot në Vatikan me Papa Françeskun, një takim që është cilësuar si një audiencë personale e politike e që i paraprin samitit të udhëheqësve të G-20-s në Romë lidhur me çështje ekonomike e globale, ndjekur nga një tjetër takim i nivelit të lartë mbi ndryshimet klimatike, që do të mbahet në Glasgou të Skocisë.

Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden u mirëpritën nga kreu i familjes Papale, Imzot Leonardo Sapienza. Rreth mesditës, ata zhvilluan një audiencë private me Papën, përpara një takimi më të gjerë, ku nga pala amerikanë ishin të pranishëm edhe sekretari i Shtetit Antony Blinken, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe zëvendës shefja e Kabinetit e Shtëpisë së Bardhë Jen O’Malley Dillon.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të jape detaje nëse Presidenti Biden do të marrë Kungimin e Shenjtë nga Papa Françesku, një çështje e ndjeshme mes kundërshtive nga disa se një gjë e tillë nuk duhet t’i ofrohet një presidenti katolik që mbështet abortin.

“Siç mund ta imagjinoni kjo është diçka shumë personale”, i tha Zërit të Amerikës zëvendës sekretarja e Shtypit Karine Jean-Pierre në bordin e avionit “Air Force One”, ndërsa delegacioni amerikan po udhëtonte drejt Romës. “Besimi është diçka shumë personale për të. Nuk kam asgjë për të ndarë në këtë moment lidhur me këtë çështje”, shtoi ajo.

Presidenti Biden ka të ngjarë të përballet me çështjet e gjinisë, seksualitetit dhe riprodhimit, ndërsa është përpjekur të pajtojë besimin e tij të fortë katolik, me detyrën e tij për të udhëhequr një qeveri qartësisht laike.

Zyrtarët e administratës kanë thënë se Presidenti Joe Biden dhe Papa Françesku janë takuar tre herë dhe kanë shkëmbyer letra. Zoti Biden është takuar gjithashtu edhe me të dy paraardhësit e Papa Françeskut. Zoti Biden ka thënë se gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara në vitin 2015, Papa gjeti kohë për të biseduar me të dhe familjen e tij jo shumë kohë pas vdekjes së djalit të zotit Biden, Beau.

Audienca papale nuk do të transmetohet drejtpërdrejt pas një vendimi të marrë të enjten nga Vatikani.

Ky është më shumë se një takim mes dy personalitetesh me pushtet, që kanë miliona simpatizantë dhe të paktën po aq kritikë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha të enjten se takimi, megjithëse ishte kryesisht personal, do të mbulonte gjithashtu edhe çështje të rëndësishme të politikës.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti dhe Papa, të shoqëruar nga zonja e parë Jill Biden do të “diskutojnë se si të punojnë së bashku, e në respekt të dinjitetit njerëzor, duke përfshirë çështje si ajo e dhënies fund të pandemisë së COVID-19, trajtimin e krizës klimatike dhe kujdesin për të varfërit”.

“Së pari takimi do të ketë dimensionin të dukshëm personal”, tha zoti Sullivan. “Ata do të kenë mundësi të reflektojnë mbi atë që po ndodh në botë, për çështjet e politikave, të sferës ndërkombëtare, ata do të bisedojnë mbi klimën, migrimin dhe pabarazinë e të ardhurave, si dhe çështje të tjera”, tha ai.