Presidenti francez nën trysni mbi lidhjet me kompaninë Uber, ja investigimi që u bë për Macron

112
Sigal

Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet nën trysni për të shpjeguar mbështetjen që i ka dhënë në të shkuarën kompanisë Uber që ofron shërbime taksi nëpërmjet një aplikacioni në telefon, ndërsa shërbente në detyrën e ministrit të Ekonomisë nga viti 2014 deri në 2016.

Këto zhvillime vijnë pas rrjedhjes në shtyp të mijëra dokumenteve që kanë nxitur kritikët të ngrenë pikëpyetje mbi këtë çështje.

Sipas investigimeve mediatike të kryera nga gazeta franceze “Le Monde” dhe ajo britanike “The Guardian”, zoti Macron, në detyrën e ministrit të Ekonomisë, kishte zhvilluar disa takime me drejtuesit e Uber-it, të cilat nuk i ka bërë publike.

Duke cituar dokumente të brendshme, si dhe mesazhe telefonike, “Le Monde” pretendoi gjithashtu se Uber-i, kishte arritur një “marrëveshje sekrete” me zotin Macron mbi rregulloret që lidhen me shërbimet e kompanisë, e cila pritej të “turbullonte” tregun tradicional të taksive.

Deputetët e opozitës, nga e majta dhe e djathta ekstreme, e sulmuan presidentin, një ish-bankier, i cili u pozicionua si një politikan pro sipërmarrjes dhe pro risive, në vitin 2014.

Zoti Macron ishte “një lobist në shërbim të interesave të huaja ekonomike private”, tha deputeti i ekstremit të djathtë Sebastien Chenu për radion “France Info” të hënën në mëngjes.

Deputeti i së majtës ekstreme Alexis Corbiere nga partia “France Unbowed” sugjeroi një hetim parlamentar, që mund ta vendoste në siklet udhëheqësin 44-vjeçar, i cili humbi shumicën në Asamblenë Kombëtare gjatë zgjedhjeve të muajit të kaluar.

“Është shumë serioze çështja që me këtë pakt të fshehtë zoti Macron prishi rregullat e industrisë së taksive”, tha ai për televizionin publik.

“Natyrisht që ne do t’i shtrojmë pyetje qeverisë dhe do të zhvillojmë një hetim parlamentar”, shtoi ai.

Siç u njoftua javën e kaluar, partia “France Unbowed” pritet të paraqesë një mocion mosbesimi kundër qeverisë, i cili megjithatë nuk pritet të kalojë.

Sipas njoftimeve në shtyp, bazuar në “një marrëveshje sekrete” zoti Macron kishte premtuar ta ndihmonte Uber-in me një ligj të ri, paraqitur në 2014, i cili rregullonte shërbimet e reja të taksive të bazuara në aplikacione dixhitale.

Gazeta “Le Monde” shkruante se zoti Macron ishte shfaqur “më shumë se një mbështetës dhe pothuajse një partner” i Uber-it gjatë 17 takimeve të mbajtura nga ai, ose anëtarë të personelit të tij, me drejtues të kompanisë, në një kohë kur firma po përballej me pikëpyetje të shumta ligjore.

Zoti Macron i përgjigjet rrallë kritikave publike. Në axhendën e tij të hënën përfshihej dhe një takim me krerët e kompanive shumëkombëshe në Francë, në takimin vjetor të nivelit të lartë të quajtur “Zgjidh Francën” që mbahet në Versajë.

Një ndihmës i zotit Macron tha se pritej pjesmarrja e rreth 180 investitorëve, një rritje nga vitet e mëparshme, një tregues sipas tij i “interesit shumë të fortë nga investittorët e huaj pas rizgjedhjes së presidentit (Macron)”.

E kontaktuar nga agjencia e lajmeve “AFP”, “Uber France” konfirmoi se kompania kishte qenë në kontakt me zotin Macron gjatë kohës që ai shërbente si ministër i ekonomisë.

Takimet kishin qenë pjesë e agazhimeve të tij normale ministrore, që mbulonin sektorin privat të punësimit, tha ai.

Zyra e presidentit i tha “AFP-së” se në atë kohë zoti Macron kishte qenë “natyrshëm” në kontakt me “shumë kompani të përfshira në ndryshimin e thellë të shërbimeve gjatë atyre viteve, të cilat duhet të lehtësoheshin falë heqjes së disa bllokime administrative ose rregullatore.

Zoti Macron ishte një mbështetës i zëshëm dhe publik i Uber-it kur kompania mbërriti në Francë, në kundërshtim me shumë kolegë në qeverinë socialiste të asaj kohe.

Ai e mbrojti atë duke thënë se ofron punë për njerëzit në ato zona me të ardhura të ulëta dhe shërben si një mjet për të thyer monopolin e mbajtur nga kompanitë e taksive.

“Shkoni në Stains (një zonë e varfër në veri të Parisit) dhe u thoni të rinjve atje që punojnë me dëshirë për Uber-in, se do të ishte më mirë të mos bënin asgjë, ose të merreshin me drogë”, tha zoti Macron gjatë një interviste për gazetën “Mediapart” në 2016.

Të hënën zoti Macron u mbeshtet nga ata njerëz që kujtonin kohën e pritjeve të gjata për taksi në Paris, e qytete të tjera të vendit, apo problemet me drejtuesit e taksive, që refuzonin të pranonin pagesat me karta bankare.

Hetimi i quajtur “Dosja Uber” (Uber Files) bazohet tek rrjedhja e dhjetëra mijëra dokumenteve për gazetën britanike “The Guardian” nga një burim anonim dhe është koordinuar me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, me bazë në Uashington. Konsorciumi punon me 42 kompani mediatike partnere në mbarë botën./VOA