Policia e Kosovës vendos që të rris prezencën në veri

90
Sigal

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur që ta rris prezencën e saj në veri të vendit, siç thuhet, për arritjen e objektivave të saj.

Në një komunikatë dërguar mediave, Policia e Kosovës ka deklaruar ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të saj.

“Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend”, thuhet në këtë njoftim.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, thuhet tutje,.

Policia e Kosovës ka theksuar se do ta vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

Ditëve të fundit veriu është shqetësuar nga disa shpërthime, të cilat vijnë si shprehje e kundërshtimit të serbëve të Kosovës ndaj organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në katër komunat veriore.

KQZ, pas një mbledhjeje të mbajtur sot, ka njoftuar se përkundër situatës, zgjedhjet do të mbahen sipas datës së paraparë. Në një komunikatë, është thënë se plani operacional do t’i jepet Policisë së Kosovës, për të garantuar siguri gjatë procesit.