Polexit: A do të largohet Polonia nga Bashkimi Evropian?

137
Sigal

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se nëse nuk sfidohet një vendim i gjykatës më të lartë polake sipas së cilit kushtetuta e vendit ka epërsi ndaj legjislacionit të BE-së, rrezikohet vetë ekzistenca e bllokut.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton se tubime të mëdha u zhvilluan në mbarë Poloninë gjatë fundjavës në shenjë mbështetjeje për anëtarësinë në Bashkimin Evropian.

Rreth 100 mijë vetë u mblodhën në Varshavë të dielën në shenjë mbështetjeje për anëtarësinë e Polonisë në BE. Ndër ta ishte edhe Donald Tusk, ish-President i Këshillit Evropian dhe tashmë udhëheqës i partisë opozitare Platforma Qytetare.

Çfarë na solli të gjithëve këtu sot? Një pseudo-gjykatë, një grup të kamufluarish me rrobën e gjyqësorit, të cilët me urdhër të udhëheqësit të partisë dhe në shkelje të kushtetutës, vendosën ta nxjerrin Poloninë nga BE-ja”, tha zoti Tusk.

Protestat u shkaktuan pasi gjykatësit më të lartë të Polonisë vendosën se kushtetuta e vendit ka prioritet mbi legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Mbizotërimi i legjislacionit të BE-së shërben si themeli i unionit. Zyrtarët e BE-së kërcënuan me vendosje sanksionesh ndaj Polonisë.

“Po presim tashmë vendimet e Gjykatës së Drejtësisë për situatën në Poloni, si dhe ndoshta sanksione të përditshme financiare”, tha Didier Reynders, Komisioner i BE-së për Drejtësinë.

Gjobat mund të arrijnë deri në një milion dollarë në ditë. Padia gjyqësore u paraqit nga Kryeministri polak Mateusz Morawiecki. Ai ka refuzuar të zbatojë dy vendime të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian të marra në korrik, që e akuzojnë qeverinë polake për ndërhyrje politike në gjyqësor.

Kryeministri e ka refuzuar një ndërhyrje të tillë dhe tha se Polonia nuk kërkon të largohet nga Bashkimi Evropian. Ai shkruajti në Facebook duke e përshkruar idenë si një “mit të dëmshëm”.

Mbështetësit e qeverisë kanë organizuar kundër-protesta dhe thonë se qeveria sfidoi me të drejtë Bashkimin Evropian.

“Marrin të drejta që nuk u takojnë dhe duan të ndërhyjnë gjithnjë e më shumë”, thotë Zygmunt Miernik, mbështetës i qeverisë polake.

Por sa pranë largimit nga BE-ja gjendet Polonia?

“Është rritur rreziku për një Polexit, largimin e Polonisë nga Bashkimi Evropian. Polonia është një vend ku 80% e popullsisë është në favor të anëtarësisë në Bashkimin Evropian. Polonia mbështetet shumë tek tregu i përbashkët dhe tek fondet e BE-së, përfshirë fondin për rimëkëmbjen nga COVID-i të miratuar vitin e kaluar”, thotë Piotr Buras, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Fondi për rimëkëmbjen nga COVID-i është rreth 66 miliardë dollarë. BE-ja ka kërcënuar se do t’i pezullojë fondet nëse Polonia nuk ndërmerr ndryshime në sistemin gjyqësor.

Polonia dhe disa vende anëtare, ndër to edhe Hungaria, kanë patur përplasje të herëpashershme me BE-në për sa i përket sundimit të shtetit ligjor, lirisë së medias dhe të drejtave të minoritetit.

“Beteja e tanishme do të përcaktojë nëse Bashkimi Evropian do të lejojë që qeveritë populiste dhe autokratike të shpërfillin standartet evropiane dhe ligjet evropiane, dhe të shkaktojnë një gërryerje të themeleve të BE-së”, thotë zoti Buras.

Themelet janë tronditur tashmë nga vendimi i gjykatës polake. Zyrtarët evropianë thonë se unioni duhet t’i qëndrojë parimeve të tij themelore, ose të rrezikojë të shpërbëhet. Por deri më tani, qeveria polake nuk po jep shenja se do të ndryshojë drejtimin.