Pence: Trump më dërgoi të shfaq përkushtimin amerikan për Ballkanin Perëndimor

610
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mike Pence deklaroi dje se vendi i tij do të përkrahë secilin shtet të Ballkanit Perëndimor që bashkarisht të arrijnë në një të ardhme më të mirë.
“Presidenti amerikan, Donald Trump më ka dërguar personalisht që të transmetoj përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Në hapje të Samitit të Kartës së Adriatikut, Pence theksoi se ishte nder për të si zëvendëspresidenti i parë amerikan që ka vizituar Malin e Zi duke e uruar vendin edhe për anëtarësimin në NATO.

“Këtu në Ballkanin Perëndimor, Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin, minojë demokracinë dhe t’ju përçajë me njëri-tjetrin dhe me pjesën tjetër të Evropës”, tha Pence.

“Ballkani Perëndimor dëshmon diversitetin e qytetërimit perëndimor. Ky është një muze i mrekullueshëm i kombeve, secili prej të cilëve ka historinë, kulturën, gjuhën dhe traditën e vet, që meritojnë të kultivohen dhe të mbrohen. Karta e Adriatikut luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e Ballkanit Perëndimor me Evropën dhe me aleancën e NATO-s, ndërkohë që nën udhëheqjen e presidentit Trump, SHBA-të do të vazhdojë të mbështesin secilin nga ju në përpjekjet për të arritur së bashku këtë të ardhme”, tha Pence.

Ai tha se pikërisht Karta e Adriatikut flet për përkushtimin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe unitetin e tij.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dëshmon se kjo organizatë ka hapur dyert dhe se ajo do të jetë gjithmonë e hapur për ato shtete evropiane të cilat ndajnë vlerat tona dhe kontribuojnë për mbrojtjen e përbashkët. Më lejoni t’ju garantoj se Amerika do të vazhdojë të qëndrojë pranë jush dhe të ju përkrah në aspiratat e juaja për një të ardhme qoftë përmes anëtarësimit në BE ose në NATO, sepse të dyja këto rrugë çojnë drejt një Evropë të fortë”, theksoi Pence.

Ai tha më tej se kohë më parë Trump ftoi të gjithë partnerët dhe miqtë në Evropë që bashkarisht në kultivojnë dhe ripërtrijnë përkushtimin e tyre për lirinë.

“Ju, liderët e këtij rajoni, do të keni para vetës kohë të mjaftueshme në periudhën e ardhshme për të dëshmuar përkushtimin e juaj. Ky është një moment gjigand i cili mundëson një rast të tillë, pasi secili prej jush kohë më parë u përball me zgjedhje të cilat kaluan në frymë korrekte, ndërsa rezultati ishte reflektim i vullnetit të popujve tuaj. Ju i përkisni një gjenerate të re të liderëve të Ballkanit që është një moment historik për përparimin e Ballkanit Perëndimor për çka ju inkurajoj të shfrytëzoni këtë moment”, tha më tej Pence.

“Detyra që keni përpara kërkon guxim, qytetarët u kanë besuar juve dhe besojnë në aftësitë e juaja për të ndihmuar dhe të realizojnë ëndrrat e tyre për prosperitet dhe të ardhme paqësore”, tha Pence.

Ajo që u veçua nga Pence është fakti se SHBA-të nën drejtimin e presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor drejt marrjes së hapave për qeverisje të mirë dhe reforma, Marrëveshjen e Dejtonit dhe dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve.

Pas pjesës për Ballkanin Perëndimor, Pence ka folur edhe për problemet dhe kërcënimet që sjell momenti, që sipas fjalëve të tij janë sfida kudër të cilave duhet të gjith të luftojmë bashkarisht.

Ai veçoi ISIS-in si armikun global numër një, pastaj Nicolas Maduron dhe diktaturën e tij në Venezuelë, Korenë e Veriut dhe Iranin si kërcënime raketore, si dhe Rusinë që, sipas tij, dëshiron që me dhunë të vendosë kufij të rinj.
Sigal