Pas 2 muajsh, rihapet xhamia Al-Aqsa në Jerusalem

401
Sigal

Pas mbylljes mbi dymujore për shkak të Covid-19, kompleksi i xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem u rihap këtë të dielë. Autoritetet vendosën disa masa paraprake pas rritjes së numrit të infektimeve. Rifillimi i lutjeve në vendin e tretë më të rëndësishëm të islamit pason një periudhë të heshtur për myslimanët e Jerusalemit, të cilët këtë vit e shënuan muajin e Ramazanit dhe Fitër Bajramin pa vizitat e zakonshme ditore në xhaminë Al-Aqsa.

”Pas hapjes së xhamisë, ndjehem sikur mund të marr sërish frymë. Faleminderit Zotit”, thotë besimtarja Umm Hisham ndërsa mban maskë në fytyrë.

Këshilli Islam iu referua ngadalësimit të përhapjes së Covid-19 për heqjen e kufizimeve dhe rihapjes së faltores së njohur, që u mbyll më 15 mars. Këshilli vendosi dhe disa masa për të zvogëluar rrezikun e ngjitjes së virusit, ndërkohë rastet e reja në Izrael u rritën sërish ditët e fundit.

Besimtarët e kanë të detyruar të mbajnë maska nëse dëshirojnë të luten brenda në faltore, ndërsa deri tani nuk ka kufizime për numrin e besimtarëve që lejohen kompleksin prej 35 hektarësh. Rreth 700 besimtarë myslimanë u mblodhën të dielën për lutjet e mëngjesit. Ndërsa më vonë një grup besimtarësh ortodoksë, të shoqëruar nga policia izraelite, hynë në kompleks përmes hyrjes së vizitorëve ngjitur me Murin e Shenjtë.