Partizan Cene:”Agimi i Artë”mbetet një problem serioz për emigrantët

538
Sigal

INTERVISTA/  Flet anëtari i Kryesisë, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, PMDE, Partizan Cene

Ksenofobia në Greqi, a është rritur me futjen në Parlament të “Agimi i Artë”?

-Problemi i ksenofobisë, që në Greqi, kohët e fundit është shtuar ndjeshëm, me futjen në parlamentin e këtij vendi të faktorit nacionalist. Janë të shumta rastet kur emigrantët, shqiptarë e të huaj të tjerë, janë vendosur në qendër të manisë ksenofobe të segmenteve dhe qarqeve neonaziste në Greqi…
– Cila është kurbatura e problemeve të  emigrantëve?
Problemi i legalizimit  ka qenë i hershëm, por tashmë është bërë akoma më i mprehtë.  Tani emigrantët e kanë pothuaj të pamundur të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre, pasi ka rënë ndjeshëm puna dhe janë rritur kështu vështirësitë, për sigurimin e pullave të siguracionit, të domosdoshme, si dhe për sigurimin e sasisë së të ardhurave që duhet të deklarohen si kusht për rinovimin e lejeve të punës! Këtyre halleve dhe problemeve tona, u shtohet edhe moskokëçarja dhe mosinteresimi i qeverisë sonë në Tiranë , ku për shembull , për një germë në pasaportat biometrike, për të ashtuquajturin “toponimet” , fëmijët shqiptar që kanë lindur në Greqi , as nuk mund të bëjnë dokumente të rregullta dhe as nuk mund të shkojnë në Shqipëri…

-Partia më agresive ndaj emigrantëve “Agimi i Artë” a ju ka nxjerrë probleme juve si individ, apo shoqatë?

– Unë duke qenë funksionar partie, kam qenë dhe vazhdoj të jem “nën vëzhgim” të rregullt nga ata sigurisht, por edhe nga segmente të shtetit grek , të cilët kurrë nuk i kam kuptuar se çfarë frike kanë nga unë… Këtë gjë e kam pasur që në vitin 1998 , vit kur unë u desha të dal edhe në ilegalitet të plotë, pasi ishte koha kur mblidhnim vullnetarë ish- oficerë, për luftën që pritej të fillonte në Kosovë … Atëherë dikush më spiunoi… Mbas mbarimit të luftës, u ktheva në shtator 1999 përsëri dhe që atëherë më kanë ndjekur këmba –këmbës… Por problemi nuk është vetëm i imi, këtu kjo organizatë, tashmë është pjesë ligjvënëse e shtetit dhe kjo vihet re që në bashki ku emigrantët shkojnë për dokumente e deri në një takim spontan në rrugë, ku duhet të “sillesh mirë se ndryshe do të “fluturosh me pendë” siç e përdorin rëndom këta për emigrantët e huaj…!
–  Racizmi, a është rrezikshmëri shoqërore sot në Greqi?
 Tani racizmi në Greqi ka marrë ligjërim pasi janë dhjetëra deputetë racist të deklaruar që militojnë në Parlamentin e vendit… Në qoftë se më përpara racizmi nuk kishte “shtëpi” të dukshme në Greqi, tani ka një “pallat të tërë” atë të Parlamentit grek ku hyn e dalin neonazistët e deklaruar anti- shqiptarë dhe anti-emigrantë …!
-A janë emigrantët të interesuar për të votuar?
Emigrantë janë shumë të interesuar të votojnë, por duket se nuk është politika dhe veçmas qeveria e interesuar që ata të votojnë. .. Këtë e them pasi, gjendja e tyre ekonomike i ndalon sivjet ndryshe nga herët e tjera të vijnë në masë të votojnë. Këtë e di qeveria dhe politika në Shqipëri, që nuk deshi të rregullonte ligjin për zgjedhjet, ku emigrantëve t’ju jepej mundësia të votonin në vendet ku jetojnë ./ Pra duket se nuk duan që emigrantët të votojnë pasi nuk i kontrollojnë dot votat e tyre.

 -Po partia juaj ku po bën fushatë?

 Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, PMDE , e detyruar nga Kodi Zgjedhor, ka hyrë në koalicionin opozitar, të kryesuar nga Partia Socialiste
 -Po ju ku keni kandiduar?

 Unë kryesoj listën e kandidatëve për deputetë të PMDE-së në Qarkun e Vlorës (Vlorë, Sarandë dhe Delvinë)