Parisi kujton Dianën në 25 vjetorin e vdekjes: Ende na mungon…

105
Sigal

“Ende na mungon”, parizjanë e turistë nga e gjithë bota u mblodhën pranë “Flakës së Lirisë” në Paris për t`i bërë homazhet e tyre Princeshës së Wellsit, në 25 vjetorin e vdekjes së saj nga nja aksident rrugor tragjik në kryeqytetin francez.

Portrete të Dianës, lule, zbukurime ishin vendosur rreth memorialit jozyrtar të saj, që gjendet në afërsi të Pont de l’Alma, pikërisht vendi ku u përplas makina me të cilën udhëtonte, duke i marrë jetën asaj dhe të dashurit, Dodi al Fayed, pas një ndjekjeje të çmendur nga paparacët.

Më vonë do të rezultonte se drejtuesi i mjetit kishte qenë nën efektin e alkoolit kur përplasi makinën në tunel. Princesha e popullit ishte vetëm 36 vjeç.

“Na merr malli akoma për të. Botës i nevojitet dikush si Diana, një njeri që është i gatshëm të heqë dorë nga çdo lloj kufizimi për të tjerët dashurinë e tij për të tjerët. Nuk mendoj se kemi ndonjë tjetër sot në botë që ta bëjë këtë gjë publikisht. Na duhen njerëz si ajo”, tha Emily Nehad, turiste nga Londra.

“Nuk e besuam në fillim, ishte shumë e papritur, një aksident i rastësishëm që i mori jetën. Veçanërisht për fëmijët, për Harry-n dhe William-in, ka qenë shumë e vështirë sepse ata ishin ende shumë të vegjël kur ndodhi e gjithë kjo.  Një nënë është e rëndësishme në jetën e fëmijëve të saj, ishte shumë prekëse”, u shpreh Mia Beys, turiste belge.

Një ikonë e stilit dhe e sharmit, Diana Spencer do të kujtohej gjithmonë jo vetëm për imazhin e saj, por edhe për përpjekjet e palodhura filantropike. Puna e saj humanitare është stampuar në mënyrë të pashlyer në kujtesën kolektive.

“Mendoj se ajo tregoi se ti mund të lesh shenjën tënde në këtë botë. Ishte një njeri shumë i dhembshur. Mbaj mend që nuk i diskriminonte fëmijët me SIDA, i mbante pranë vetes. Dhe duke qenë infermiere, e kuptoj se sa e rëndësishme është kjo për perceptimin e publikut. Them se Diana arriti të bënte disa ndryshime të mëdha, dhe gjurma e tyre mbetet”, tha Michelle McLeod, infermiere.