Ofensiva talebane pas tërheqjes së SHBA / Ushtarët afganë arratisen në Taxhikistanin fqinj

209
Sigal

Mbi 1 mijë ushtarë afganë u arratisën në Taxhikistan, fqinjin verior të Afganistanit pas një ofensive të talebanëve në një prej rajoneve që kontestohej prej kohësh për kontroll mes militantëve dhe qeverisë së Kabulit.

Taxhikistani tha se trupat afgane hynë në territorin e tyre ku u çarmatosën për të shpëtuar jetën e tyre nga talebanët, që i përndoqën për kilometra me radhë.

Talebanët kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të veriut të Afganistanit që pas tërheqjes së trupave të NATO-s.

Shumica dërrmuese e forcave të huaja të mbetura në Afganistan janë larguar përpara një afati përfundimtar, që talebanët kanë vendosur si muajin shtator. Militantët kanë paralajmëruar se çdo ushtar i huaj që qëndron në vend pas përfundimit të këtij afati do të sulmohet ashpër.

SHBA dhe NATO u tërhoqën pas një marrëveshje me talebanët, ku ranë dakord që të tërhiqen të gjitha trupat ndërkombëtare, ndërsa talebanët premtuan se nuk do të lejojnë asnjë grup ekstremist që të veprojë në territoret që ata kontrollojnë.

Por, marrëveshja nuk i ndalon talebanët që të luftojnë kundër forcave të Qeverisë afgane dhe pas tërheqjes së ndërkombëtarëve kanë tashmë nën kontroll pothuajse një të tretën e territorit të vendit.