“Nëna e të gjitha bombave”, Papa Françesku: Turp e neveri për këtë emërtim

509
Papa Françesku ka kritikuar emërtimin e bombës më të madhe jobërthamore të ushtrisë amerikane, që është përdorur ndonjëherë në luftime, si “nëna e të gjitha bombave”.
“Ndieva turp kur e dëgjova këtë emër”, tha Ati i Shenjtë para një grupi studentësh në Vatikan.
“Një nënë jep jetë, ndërsa kjo jep vdekje. Dhe ne e quajmë këtë bombë, nënë? Çfarë ndodh kështu?”, pyeti Papa Françesku.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara lëshuan një bombë të tillë me peshë 9.800 kg, mbi militantët e Shtetit Islamik në Afganistan.
Pentagoni tha se ajo ishte hedhur nga një avion amerikan në provincën e Nangarharit, duke marrë në shënjestër një kompleks tunelesh të përdorur nga Shteti Islamik. Bomba njihet zyrtarisht me emrin “GBU 43/B MOAB”, por njihet gjerësisht si “nëna e të gjitha bombave”.
Ajo është testuar fillimisht në vitin 2003, por nuk ishte përdorur asnjëherë në luftime më parë. Komentet e Papës vijnë, ndërkohë, para takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump, më 24 maj.
Sigal