Trump akuza OBSH-së/ Na solli koronavirusin, por ja sa pak para jep Kina

312
Sigal

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nxitur një debat mbi paanshmërinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e akuzuar atë si tepër të njëanshme në favor të Kinës, dhe duke mos arritur në këtë mënyrë që të ndalë pandeminë e koronavirusit të ri.

Trump e akuzon OBSH-në, se nuk ka vepruar si duhet për të ndalur përhapjen e Covid-19 dhe se SHBA nuk do të financojë këtë organizatë, deri në përfundim të një shqyrtimi, të veprimeve të organizatës.

Nëse OBSH, do të kishte bërë detyrën, për të çuar mjekë ekspertë në Kinë, për të analizuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe të ekspozonte mungesën e transparencës nga ana e Kinës, përhapja e virusit do të ishte kontrolluar që në gjenezë, me fare pak vdekje“, tha Trump, në komunikimin e vendimit të tij.

SHBA ka qenë në fakt kontribuesja më e madh në arkën e OBSH-së, e cila ka një buxhet të përgjithshëm vjetor prej 6.2 miliardë dollarësh.

OBSH financohet nga anëtarët e saj dhe organizatat bamirëse. Sipas faqes së saj zyrtare në internet, SHBA-ja me 14.67 për qind të kontributit është burimi më i madh i financimit për agjencinë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara.

Pas saj, kontribuesit e ardhshëm të mëdhenj janë fondacioni “Bill & Melinda Gates” me 9.76 për qind të fondeve dhe “GAVI Alliance” me 8.39 për qind. Kjo e fundit, është një organizatë e partneritetit publik-privat me qendër në Gjenevë të Zvicrës, për të cilën fondacioni “Bill & Melinda Gates” jep sërish një kontribut të konsiderueshëm.

Britania e Madhe me 7.79 për qind dhe Gjermania me 5.68 për qind, janë të vetmit vende pas SHBA-së, që kontribuojnë me mbi 5 për qind të buxhetit të përgjithshëm financiar të OBSH-së. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), është një organ tjetër që jep kontribut mbi 5 për qind.

Ndërkohë Banka Botërore me 3.42 për qind, Rotary International me 3.3 për qind, Komisioni Evropian me 3.3 për qind, dhe Japonia me 2.7 për qind janë ndër kontribuesit e tjerë kryesorë në financat e OBSH-së.

Kina, vendi që është në qendër të polemikave aktuale mbi OBSH-në pas pandemisë së koronavirusit, kontribuon me vetëm 0.21 për qind. Pjesa e kontributit që jep India, është më shumë se dyfishi i Kinës, pra me 0.48 për qind, dhe shumë më pranë Francës me 0.5 për qind. Interesant është fakti që edhe Pakistani kontribuon me 0.36 përqind për OBSH, pra më shumë se Kina.

OBSH ka 4 mënyra përmes të cilave grumbullon fondet e saj. Kategoria me e madhe janë kontributet vullnetare, me një normë gati 80 përqind. Kontributet vullnetare, mund të bëhen nga vendet anëtare – 194 vende të OKB – apo OJQ-të. Kategoria tjetër e madhe e financimit janë tarifat e anëtarësimit.

OBSH e cakton tarifën e përcaktuar për secilin vend anëtar, në varësi të shëndetit të financave dhe numrit popullsisë. Por për disa arsye, ekonomia më e madhe në botë, SHBA kontribuon me gati 15 për qind të fondeve totale të OBSH, ndërsa ekonomia e dytë më e madhe në botë, ajo kineze, me vetëm 0.21 për qind.