Mpiksja e gjakut/ SHBA rekomandon pezullimin e vaksinës Johnson&Johnson

218
Sigal

Agjencitë shëndetësore të SHBA rekomanduan të martën pezullimin e përdorimit të vaksinës me një dozë të vetme Johnson & Johnson, pasi gjashtë persona shfaqën një simptomë të rrallë që përfshinte mpiksje të gjakut. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të mbajnë një takim të mërkurën për të shqyrtuar rastet. Të gjashtë personat ishin gra midis moshave 18 dhe 48 vjeç. Një grua vdiq dhe një tjetër në Nebraska është shtruar në spital në gjendje të rëndë, njoftoi gazeta New York Times, duke cituar zyrtarët. CDC dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave thanë në një deklaratë të përbashkët se raste të tilla duket të kenë qenë jashtëzakonisht të rralla deri tani. Që nga 12 prilli, në Shtetet e Bashkuara janë administruar më shumë se 6.8 milion doza të vaksinës Johnson & Johnson. Kjo masë e autoriteteve amerikane vjen më pak se një javë pas njoftimit të rregullatorit evropian të barnave se po shqyrtonte rastet e rralla të mpiksjes së gjakut tek katër persona në Shtetet e Bashkuara që morën vaksinën.