Evropa do të përballet me ngrica të pazakonta duke nisur nga java e ardhshme, ndërsa sinoptikanët evropianë paralajmërojnë se stuhitë e dëborës do të përshkojnë të gjithë kontinentin.
Moti i acartë u mori jetën të paktën tre personave të moshuar në Greqi në dy ditët e fundit, të cilët nuk arritën dot t’i rezistonin temperaturave deri në -18 gradë Celsius në disa pjesë rurale të vendit.
Autoritetet gjithashtu i erdhën në ndihmë dhjetëra familjeve të bllokuara në akset rrugore prej dëborës së lartë, ndërsa kushtet e motit kanë vështirësuar udhëtimet me trena, anije dhe linjat e avionit.
Dëbora e dendur shkaktoi kaos edhe në pjesë të tjera të Europës, veçanërisht në Gjermani dhe Austri.
Në Bavari u raportua një viktimë nga shkëputja e një orteku bore, ndërsa qindra turistë mbeten të bllokuar në fshatrat alpinë të Austrisë.
Në qytetin gjerman të Mynihut autoritetet u detyruan të anulojnë mbi 200 fluturime për shkak të pamjes së kufizuar.
Ndërkohë rreth 40 cm dëborë pritet të bien përsëri të hënën, çka ka çuar në mbylljen e autostradave kryesore për të shmangur aksidentet.
Dëbora e dendur është rezultat i masave të ftohta arktike të cilat po kalojnë nëpër Europë prej fundvitit të kaluar, duke sjellë ngrica edhe në rajonet me klimë të ngrohtë si Turqia dhe Italia Jugore.