Misteri i masakrimit të çiftit shqiptar / Çfarë zbuluan autoritetet ?

229
Sigal

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me kufomat që u gjetën të copëtuara dhe të futura në disa valixhe në Itali dhe që zyrtarisht një prej tyre u përkisnin shqiptarit Shpëtim Pashos.

Djali i Shpëtim dhe Teuta Pashos, Taulanti, i cili mund të hedhë dritë mbi ngjarjen është zbuluar se qëndron i dënuar në një burg të Zvicrës. Autoritetet italiane arritën të bëjnë verifikimet e duhura pasi u zbulua zyrtarisht nga shenjat e ADN-së se trupi i mashkullit, i gjetur brenda disa valixheve i masakruar i përket Shpëtim Pashos.

33-vjeçari shqiptar është i dënuar me 3 vite e 11 muaj burg në Zvicër. Ai ka një histori të mbushur plot me precedentë penalë pasi është arrestuar e dënuar për drogë si dhe ka qenë në arrati për disa vite të tëra. Gjithashtu në ditën që prindërit e tij do të humbnin gjurmët, i riu doli nga burgu Sollicciano pasi vuante një dënim.

Ai mund të jetë një nga personat e fundit që ka takuar Shpëtim dhe Teuta Pashon dhe autoritetet mendojnë se mund të zbulojnë detaje interesante që mund të çojnë në zbulimin e vrasësve.

Sipas Corriere della Sera mbetet të verifikohet edhe një detaj tjetër interesant. Dyshohet se çifti ka pasur një shumë parash nga 40 mijë deri në 50 mijë euro si pasojë e një dëmshpërblimi nga një aksident rrugor. Me zhdukjen e tyre edhe këto para nuk dihet se ku kanë shkuar.

Dyshohet se Taulanti ka pasur kontakte me persona të krimit të organizuar, prandaj policia dyshon që mund të jetë edhe një hakmarrje ndaj tij. Gjithashtu autoritetet mendojnë se mund të jetë edhe ndonjë mesazh dërguar për të afërmit, ose miqtë e familjes Pasho.

Më herët për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe vajza e çiftit Pasho, Dorina. Ajo mohoi që prindërit të jenë vrarë për shkak të një hakmarrje ndaj vëllait të saj.

“Ai mund të jetë shpërndarës, por nuk besoj që kjo të ketë ndodhur për shkak të tij”, ka thënë ajo përpara hetuesve.

Deri më tani autoritetet kanë arritur të verifikojnë zyrtarisht vetëm Shpëtim Pashon nga mbetjet e gjetura në disa valixhe në një fushë pranë Firences. Ata thonë se identiteti i mbetjeve trupore të femrës nuk dihet pasi nuk ka ende prova shkencore që ta vërtetojnë këtë gjë, por dyshimet e forta janë se u përkasin Teuta Pashos.

Shpëtim Pasho u identifikua nga analizat, por edhe tatuazhi që kishte, një spirancë me mbishkrimin Vlora dhe inicialet Sh.P. Policia po vijon hetimet dhe është në kërkim të një valixheje të katërt, ku dyshon se mund të jenë futur mbetjet trupore të gruas. Nga hetimet e deritanishme rezulton se viktimat janë dhunuar para se të vriteshin.