Mesazhi i Kukan dhe Fleckenstein: Çfarë rrezikon vendi nëse nuk shkohet në zgjedhje?

457
Situata e rënduar politike në Shqipëri, do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit, investimet e huaja dhe aftësinë për të tërhequr fondet e BE-së, deklarojnë eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.
Gjatë takimeve me një grup gazetarësh nga Shqipëria në Bruksel, Fleckenstein tha se situata politike mbetet shumë e vështirë dhe kjo do të japë ndikimin e vet në ekonomi.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian tha se ajo është tejet e rëndësishme për vendin, por edhe për investitorët, sepse ata kanë nevojë që të besojnë te zbatimi i ligjit dhe nëse nuk kanë këtë garanci investimet do të shtyhen.

“Nuk mund të them që kushdo do të rrijë në shtëpi dhe nuk do të ketë investime në Shqipëri. Po, sa më shumë të zgjasë reforma, aq më shumë do të ketë hezitime”, tha ai.

Fleckenstein thotë se sipas informacioneve që ai ka marrë për afatet ligjore, ka mësuar që duke mos pasur zgjedhje vendi mund të mbetet pa president, pa parlament, pa qeveri.

“Nuk e di sa keq do të shkojë, por në një vend që në një të ardhme të afër rrezikon të mos ketë parlament, president, qeveri, gjërat nuk pritet të shkojnë mirë. Kjo situatë ndikon negativisht në ekonomi dhe besimin e investitorëve”, tha ai.

Edhe eurodeputeti Eduard Kukan shprehu shqetësimin për situatën aktuale politike dhe mënyrën se si mund të shkojnë ngjarjet. Ai shton se situata politike po ndikon ekonominë. “Ka një lidhje direkte mes situatës politike në vend, asaj ndërkombëtare dhe tërheqjes së fondeve nga Europa. Sa më pozitive situata, aq më shumë fonde mund të tërheqësh”. Ai shtoi se deri tani, Shqipëria nuk ka ecur keq ekonomikisht.

Kukan dhe Fleckenstein u shprehën kundër bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe pohojnë se e vetmja gjë pozitive është që të ketë dialog politik. “Kur palët takohen mund të diskutojnë gjithçka. Çdo gjuhë dramatike nuk e ndihmon situatën”, thotë Kukan. Edhe Fleckenstein thotë që liderët duhet të flasin me njëri-tjetrin.

Të dy europarlamentarët kanë bërë thirrje, që politika të mos marrë peng vendin.
Sigal