Maqedonia, dobët në raportin mbi lirinë e shtypit

492
Gazetarët në Maqedoni gjenden në një pozitë mjaft të vështirë dhe trysnia dhe dhuna e shpeshtë kundër ngrejnë mjaft shqetësime.
Organizata “Reporterët pa kufij” në raportin më të fundit lidhur me lirinë shtypit, e radhit Maqedoninë në pozitën e 118 nga 180 vende të botës. Asnjë prej dhjetra rasteve të regjistruara të dhunës ndaj pjesëtarëve të medias nuk ka gjetur zgjidhje në gjykatë.
Maqedonia është ndër vendet e pakta evropiane ku, sipas vëzhguesve, po përkeqësohet gjendja e gazetarëve dhe po shtypet liria e shprehjes.
Numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur vitin e fundit. Gjysma nga 45 rastet e sulmeve në katër vitet e fundit ka ndodhur në vitin 2016, ndërsa në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar pesë sulme të reja.
Thirrjeve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë për ndëshkimin e dhunuesve, institucionet përkatëse nuk u janë përgjigjur.
Ricardo Gutieres, Sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve shprehet i shqetësuar.
“Retorika kundër medias e zyrtarëve publik dhe politikanëve të Maqedonisë, përfshirë Nikolla Gruevskin është për t’u shqetësuar”, thotë Gutieres, duke shtuar se ata kanë përgjegjësi lidhur me sulmet e fundit kundër gazetarëve.
Asnjë rast i sulmeve ndaj gazetarëve deri më tani nuk është zgjidhur në organet gjyqësore.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani thotë se gjuha e urrejtjes në mjetet e informimit nuk është rezultat i mungesës së ligjeve por i refuzimit të institucioneve për t’i zbatuar ato.
“Maqedonia është e fundit në Evropë për lirinë e medias, jo sepse produkti mediatik nuk është i rregulluar me ligj, por për shkak se gazetarët janë nën trysninë e pushtetit, i cili përdor forcën dhe korrupsionin si mjet të kontrollit të medias dhe të kufizimit të lirisë së saj”, thotë Selmani.
Federata Evropiane e Gazetarëve është shoqata kryesore e gazetarëve në Evropë që përfaqëson 300 mijë gazetarë në 43 shtete. Ricardo Gutieres ka vërejtur se gazetarët në Maqedoni nuk përballen vetëm me sulme por disa prej tyre edhe me mbajtje nën arrest.
“Maqedonia është një nga vendet e pakta ku gazetarët sot mbahen në burg”, thotë z. Gutieres ndërsa bën të ditur se vetëm pesë vende evropiane vëzhgohen për raste të tilla dhe se ato janë: Turqia, Azerbajxhani, Mali i Zi, Rusia dhe Maqedonia.
Zoran Bozhinovski një gazetar, i cili njihet për zbardhjen e një numri rastesh që kanë të bëjnë me inkriminimin dhe korrupsionin e politikanëve, po mbahet në burg për më tepër se një vit, në pritje të gjykimit; Ndërkohë një tjetër gazetar, Tomisllav Kezharovski u lirua nga burgu para një viti. Kezharovski hulumtonte dhe shkruante për vdekjen e mistershme të një gazetari dhe botuesi tjetër kritik ndaj pushtetit, Nikolla Mlladenov në vitin 2013.
Maqedonia është radhitur në vendin e 118 nga gjithsej 180 vende të botës, sipas Organizatës “Reporterët pa Kufij” për sa i përket lirisë së medias.
Sigal