Mali i Zi, sot zyrtarisht anëtari i 29 i NATO-s

515
Mali i Zi, dikur bastion i ndjenjave pro-ruse në Ballkan, bëhet sot zyrtarisht anëtari i 29 i NATO-s, me një ceremoni në Uashington.
Anëtarësimi i vendit prej 600 mijë banorësh në Aleancën Ushtarake shënon një kthesë historike që e ka zemëruar Kremlinin, i cili e sheh Malin e Zi si një zonë të veçantë interesi.
Kjo e zvogëlon më tej ndikimin e Rusisë në Europën Juglindore dhe i heq aksesin nga të ashtuquajturat “dete të ngrohta” në Evropë, që mund të përdoreshin si baza për ndërhyrje ushtarake në Lindjen e Mesme.
Rusia ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet ekonomikisht dhe politikisht, duke përfshirë një fushatë për të minuar industrinë malazeze të turizmit, që mbështetet mjaft te vizitorët rusë.
Ceremoni në Departamentin e Shtetit
Në Departamentin amerikan të Shtetit zhvillohet sot ceremonia për pranimin zyrtar të Malit të Zi si anëtar i 29 i NATO-s.
Në ceremoni, ku marrin pjesë Nënsekretari amerikan i Shtetit Thomas Shannon dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviç do të depozitojë instrumentin e pranimit të vendit në NATO.
Më 7 qershor, flamuri i Malit të Zi, ai anëtari më i ri i Aleancës, do të valëvitet për herë të parë në Shtabin e Aleancës Ushtarake në Bruksel.
Ngjarja e sotme është rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare për ta përfshirë Malin e Zi në komunitetin euroatlantik të vendeve, thuhej në një komunikatë nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit’.
Presidenti Donald Trump, është shprehur se pranimi i Malit të Zi riafirmon se dera e NATO-s mbetet e hapur për ato vende që janë të gatshme dhe të afta të bëjnë reformat e nevojshme për të përmbushur standardet e larta të NATO-s dhe për të pranuar rreziqet, përgjegjësitë si dhe përfitimet e anëtarësimit.
Pranimi i Malit të Zi në NATO është i pari pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në vitin 2009.
Sigal