Ishte shpallur në kërkim, gjendet i pajetë i fejuari i blogeres së ndjerë Gabby Petito! Ja se si hetuesit ranë në gjurmët e tij

152
Sigal

Brian Laundrie, i fejuari i blogeres Gabby Petito, e cila u gjet e vrarë disa javë më parë, është gjetur gjithashtu i pajetë. Sipas “CNN”, eshtrat e gjetura të mërkurën në një park në Florida, i përkasin Laundrie-t. FBI tha se të dhënat dentare ishin ato që bënë të mundur identifikimin e viktimës.

Identifikimi erdhi disa orë pasi policia në Portin e Veriut tha se mbetjet që u gjetën ishin skeletore dhe i përkisnin një njeriu.

“Ato janë padyshim mbetje njerëzore,“- tha zëdhënësi i policisë Josh Taylor për “CNN”.

Familja e tij ka kërkuar privatësi në këtë moment të vështirë, duke refuzuar intervistat. Megjithatë, ata iu bashkuan grupit hetimor për t’i ndihmuar me kërkimin.

Laundrie, i cili ishte i vetmi person që mund të zbulonte detaje për vdekjen e Gabby Petito-s, u kthye në Florida muajin e kaluar pa partneren e tij, pavarësisht se kishin udhëtuar bashkë. Trupi i pajetë i blogeres u gjet më vonë në Wyoming, aty ku çifti kishte udhëtuar.

Të mërkurën, zyrtarët thanë se mbetjet e Brian ishin zbuluar në një pjesë të parkut që kishte qenë i mbuluar me ujë deri vonë. Gjatë kontrollit u gjetën edhe sende të tjera, përfshirë një çantë shpine dhe një fletore që i përkisnin atij. Hetuesit gjetën gjithashtu edhe rrobat që besohet se Laundrie i ka pasur veshur ditën që u zhduk, më 13 shtator.

Rreth dy javë më parë u zbulua se Gabby Petito vdiq nga mbytja. Ky ishte rezultati i autopsisë për 22-vjeçaren, që u publikua nga mjeku ligjor, Brent Blue.

Mjeku u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se trupi i Petito u gjet në një kamp me shenja të mbytjes, por nuk dha specifika të tjera. Ai shtoi se nuk mund të zbulonte detaje të raportit të saj toksikologjik, por tha se ajo nuk ishte shtatzënë në kohën kur ka humbur jetën.