“Lironi të burgosurit politikë”, vijojnë protestat në Bjellorusi

245
Sigal

Mijëra njerëz marshuan në qendrën e kryeqytetit Bjellorus Minsk duke kërkuar lirimin e të burgosurve politikë.

Marshimi i së dielës është një tjetër demonstrim në një seri tubimesh në Bjellorusi që nga zgjedhjet e 9 gushtit, që Presidenti Aleksandër Lukashenko pretendon se i fitoi me rezultat të thellë. Kundërshtarët e tij thonë se zgjedhjet u manipuluan për t’i dhënë atij një mandat të gjashtë në pushtet.

Më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën në Minsk, sipas mediave.

Njerëzit, duke tundur flamuj të bardhë me një shirit të kuq, të cilat janë bërë simboli i opozitës bjelloruse, marshuan duke u rënë daulleve drejt qendrave të paraburgimit, sipas fotove dhe videove të postuara në mediat sociale.

“Lirojini”, thërrisnin njerëzit pranë mureve të qendrës së paraburgimit Okrestina, ku besohet se mbahen disa protestues dhe kundërshtarë të Lukashenkos.

Më shumë se 13,000 njerëz janë arrestuar, ndërkohë që figurat kryesore të opozitës janë burgosur ose internuar.

Policë të armatosur me helmeta të zeza që mbanin shkopinj rrethuan rrugët në qendër të Minskut, ndërsa disa stacione të metrosë përkohësisht mbyllën dyert për udhëtarët.

Tubime kundër Lukashenkos pati edhe në qytete të tjera të Bjellorusisë./Rel