Lavrov: Perëndimi i zemëruar me suksesin e Rusisë në Siri

519
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar sot ndaj deklaratave të sekretarit të Jashtëm britanik, Philip Hammond, i cili ka thënë se Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad.

“Deklaratat e tilla nuk bazohen në ndonjë fakt. Besoj se ato pasqyrojnë zemërimin e partnerëve tanë perëndimorë me faktin se forcat ajrore ruse janë efikase në hapësirën ajrore të Sirisë, në bashkëpunim me forcat e armatosura siriane. Ato janë duke përmbushur synimet e komunitetit ndërkombëtar, të cilat, para së gjithash, kanë të bëjnë me pengimin e kërcënimit terrorist”, ka thënë Lavrov në një konferencë për media në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri në shtator të vitit të kaluar. Ajo ka thënë se ka në shënjestër grupet terroriste, e mbi të gjitha grupin militant Shteti Islamik, shkruan rel. Qeveritë perëndimore, të cilat mbështesin opozitën e moderuar siriane, kanë thënë se Rusia kryen sulme pa dallim. Lufta civile në Siri ka nisur në vitin 2011. Mbi 260,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen.
Sigal