Kryeministri pro idesë për të mos u dhënë viza politikanëve

605
Isa Mustafa e ka përkrahur një ide për të mos u dhënë viza politikanëve të Kosovës por një të drejtë të tillë t’ua dhënë qytetarëve të Kosovës.
Këtë propozim Kryeministri e ka dhënë në një reagim në FB, ku ka komentuar refuzimin e vizave për dy anëtarët e shoqërisë civile, Agon Maliqi e Eroll Bilibani, të cilëve u është pamundësuar marrja pjesë në një organizim në një vend të BE’së.
“Si përfundim, nuk do të isha aspak kundër që, siç paska propozuar një gazetar kosovar, Brukseli ta bllokojë udhëtimin e përfaqësuesve politikë të Kosovës në BE, duke ua dhënë një të drejtë të tillë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Me këtë rast, Shefi i Qeverisë përsëri u ka bërë thirrje deputetëve të votojnë demarkacionin për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave.
“I bëjë apel 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin përgjegjësinë që ua kanë dhënë qytetarët e Kosovës, t’i lenë anash inatet dhe synimet personale politike e t’i hapin udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka shtuar ai.
Postimi i plotë i Kryeministrit Kosovar:
Të dashur bashkëqytetarë,
Jam shumë i shqetësuar që dy qytetarëve tanë, pjesëtarë të njohur të shoqërisë civile, Agon Maliqi dhe Eroll Bilibani, nuk i janë dhënë viza për të marrë pjesë në evente që zhvillohen në shtete të BE-së, e që lidhen me angazhimet e tyre artistike dhe civile.
Por, më shumë se me këdo tjetër, jam i mllefosur me përfaqësuesit politikë të Kosovës, me njerëzit që lirinë e lëvizjes së njerëzve tanë po e mbajnë peng të kauzave dhe lojërave të ulëta politike.
Që nga dita e parë e punës, Qeveria ka bërë çdo gjë të mundshme që të hiqet regjimi i vizave, duke përmbushur çdo kriter, më së shumti në rajon, duke marrë si rezultat rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Përmbushëm edhe kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi dhënë prova të qarta se këtë luftë do ta vazhdojmë me çdo mjet dhe në çdo ditë të punës sonë. Rezultatet në këtë drejtim po shihen dita e ditës.
Krejt çfarë mbetet është që deputetët ta votojnë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila është arritur nga komisioni shtetëror, është konfirmuar nga State Departamenti, nga komisioni tre anëtarësh ndërkombëtar dhe ekspertët vendorë. Për këtë qëllim, kemi krijuar edhe një komision ekspertësh që po e mat territorin e Kosovës.
Andaj, si qytetarë, si përfaqësues politik dhe në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, i bëjë apel 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin përgjegjësinë që ua kanë dhënë qytetarët e Kosovës, t’i lenë anash inatet dhe synimet personale politike e t’i hapin udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Është në ndërgjegjen e përfaqësuesve të zgjedhur të këtij vendi që të mos i marrin në qafë të rinjtë, studentët, artistët, shoqërinë civile, njerëzit që kanë nevojë për tretman shëndetësore që s’mund ta gjejnë në Kosovë, familjarët e diasporës tonë, të cilët kanë nevojë të lëvizin duke respektuar në plotni kriteret e BE-së për lëvizjen e lirë.
Çdo pasojë si rezultat i regjimit të vizave, tash e tutje është në ndërgjegjen e atyre që e sabotojnë dhe e uzurpojnë këtë të drejtë të qytetarëve.
Si përfundim, nuk do të isha aspak kundër që, siç paska propozuar një gazetar kosovar, Brukseli ta bllokojë udhëtimin e përfaqësuesve politikë të Kosovës në BE, duke ua dhënë një të drejtë të tillë qytetarëve të Kosovës.
Sigal