Boris Johnson është vetë-izoluar, por vazhdon të punojë nga Downing Street pas kontaktit me një deputet që më vonë doli pozitiv me koronavirus, tha një zëdhënës të dielën në mbrëmje.
Kryeministri britanik u takua me një grup të vogël deputetësh në Downing Street të Enjten në mëngjes, njëri prej të cilëve, Lee Anderson, më pas zhvilloi simptoma dhe doli pozitiv me koronavirus. Johnson do të vazhdojë t’i drejtohet vendit gjatë periudhës së tij të izolimit dhe do të diskutojë opsionet për të marrë pjesë në biznesin parlamentar në distancë.
“Kryeministri do të ndjekë rregullat dhe është vetë-izoluar,” tha zëdhënësi në një deklaratë. “Kryeministri është mirë dhe nuk ka ndonjë simptomë të COVID-19.”
Koha e kësaj periudhe të vetë-izolimit është e vështirë për Johnson, i cili, sipas raporteve, kishte shpresuar të rimëkëmbte kryeministrinë e tij pas dorëheqjeve të disa figurave të larta nga ekipi i tij në Downing Street javën e kaluar.
Johnson u shtrua në spital me COVID-19 në Prill dhe u zhvendos në kujdesin intensiv 24 orë më vonë, por më vonë u shërua plotësisht. E fejuari e tij, Carrie Symonds, gjithashtu vuajti nga simptomat e koronavirusit në fillim të këtij viti dhe u vetë-izolua.