Kriza ekonomike në Greqi, BQE ndalon kreditimin për Bankat helene

714
Banka Qendrore Europiane do të ndërpresë kreditimin emergjent për bankat greke. BBC raporton se e hëna me shumë mundësi do të jetë një ditë pushimi për sistemin bankar grek, i cili është i varur nga programi i asistencës së Bankës Qendrore Europiane për t’i mbajtur bankat me likuiditet. Pas kësaj lëvizjeje, pritet që bankat greke të gjenden në vështirësi që nga fillimi i javës tjetër.
Kjo masë do të vazhdojë deri sa Banka Qendrore Europiane të vendosë masën e kontrollit të kapitalit mbi bankat greke, një masë që kufizon sasinë që qytetarët grekë mund të tërheqin nga bankat, por që qeveria greke ka refuzuar deri më tani ta vendosë.
Në javët e fundit, nga bankat greke janë tërhequr miliarda euro, si pasojë e frikës së një falimentimi të mundshëm të Greqisë. Sipas BBC vendosja e kontrollit të kapitalit do të ishte hapi i pare drejt largimit nga eurozona pasi rregullat e zonës euro thonë që duhet të ketë një qarkullim të lirë kapitali. Banka Qendrore europiane i ka dërguar përditë bankave greke fonde emergjente.
Ministri i Financave të Austrisë, Jorg Shelling, deklaroi se një dalje e Greqisë nga euro duket pothuajse e paevitueshme. Por, kjo mund të mos jetë e vetmja rrugë për Greqinë. Në vitin 2013 BE arriti të zgjidhë krizën bankare në Qipro dhe vendi qëndroi brenda eurozonës. 
Sigal