Kriza e klandestineve, 409 emigrantë kanë humbur jetën vetëm gjatë këtij viti

450
409 emigrantë kanë humbur jetën që prej fillimit të 2016 dhe në 6 javët e para të tij numri tyre ka qenë 10 herë më i lartë krahasuar me të nëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat publikohen nga Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit, e cila shton se që nga një janari i këtij viti, nëpërmjet Mesdheut në Europë kanë hyrë 76 mijë persona, me një mesatare ditore rreth 2 mijë në ditë.
Më shumë se tre të katërtat e vdekjeve kanë ndodhur në rrugën e shkurtër detare që lidh Turqinë me brigjet greke, e cila që prej fillimit është konsideruar më e rrezikshme se rruga që lidh Libinë me Italinë.
Deklarata e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim vjen një ditë pasi autoritetet greke njoftuan vdekjen e 27 emigrantëve në gjirin e Edremit, teksa po përpiqeshin të arrinin ishullin grek të Lezbos.
Teksa Greqia po përballet me tragjedi thuajse çdo ditë, Turqia ka bllokuar qindra mijëra të tjerë në kufirin me Sirinë, të cilat janë strehuar në kampet e ngritura në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Autoritet turke paralajmërojnë se situata po përkeqësohet, teksa në ditët në vijim priten edhe 600 mijë të tjerë që i largohen ofensivës së fundit të Alepos. Turqia argumenton se e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të menaxhuar fluksin është krijimi i një “zonë të sigurt” brenda Sirisë – e mbrojtur ndërkombëtarisht, ku civilët e zhvendosur mund të strehohen pa kaluar në Turqi.
Sigal