Krimi që tronditi Belgjikën/ Si shqiptari theri në derën e shkollës partnerin e ish-gruas

207
Sigal

Hapësira para një shkolle në qytetin Deurne të Belgjikës, dje u kthye në një skenë krimi. Para syve të fëmijëve që vijojnë mësimet në atë shkollë, u krye një vrasje që i tmerroi të gjithë. Një 48-vjeçar nga Kosova qëlloi me thikë për vdekje një 52-vjeçar, Ismet Osmanaj që ishte burri i ish-gruas së tij. Ai kishte shkuar te shkolla për t’i marrë fëmijët e bashkëshortes, por që më pas kosovari i kishte dalë në pritë dhe e kishte goditur për vdekje.

Për vrasjen që dyshohet se është kryer nga kosovari janë deklaruar nga Prokuroria e Belgjikës për Gazetën Express. “Një burrë 48-vjeçar është arrestuar me urdhër të gjykatësit hetues për vrasjen e një 52-vjeçari. Viktima është bashkëshorti i ri i ish-gruas së të dyshuarit. Nga të gjeturat deri në këtë pikë të hetimeve, i dyshuari, një 48-vjeçar nga Kosova ishte duke e pritur viktimën në daljen e një shkolle fillore në Waterbaan, Deurne. 52-vjeçari ishte aty për t’i marrë thjeshtrit (fëmijët e gruas nga burri tjetër) nga shkolla, por u ther disa herë në rrugë me një thikë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

Sipas prokurorisë, viktima ishte therur 13 herë. I dyshuari është kapur nga Policia, derisa po tentonte që të ikte nga vendi i ngjarjes. “Dëshmitarët më pas e panë të dyshuarin duke u larguar në drejtim të Herentalsebaan-it. Policia shkoi shpejt dhe arriti që ta arrestonte burrin në të dyzetat në Van Havrelei, pa ndonjë problem. Kalimtarët e rastit ia dhanë ndihmën e parë viktimës. Pas kësaj, kontrollin e mori stafi mjekësor. Për fat të keq, nuk kishte ndihmë të mëtejme për viktimën. Ekspertët e forenzikës që erdhën në vendin e ngjarjes për hetime numëruan 13 lëndime nga thika dhe therjet”, thuhet në përgjigjet e prokurorisë.

Zyra e Prokurorit tashmë ka nisur hetimet për rastin, derisa në seancën që është mbajtur sot, 48-vjeçari ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Ai pritet të dal para gjykatës edhe të premten.Zyra e prokurorit ka nisur hetimet për vrasje dhe një seancë është mbajtur të martën. Departamenti lokal për hetime kriminale në Antwerp tani është duke i kryer hetimet e mëtejme. Burri e shfrytëzoi të drejtën e tij që të qëndrojë i heshtur para gjykatësit hetues. Ai do të paraqitet në gjykatë të premten.

Ndryshe, mediat kanë publikuar edhe pamjet e momentit kur autori tenton të largohet pas krimit me duart me gjak dhe thikën që i mori jetën Ismet Osmanajt. “Me gjakun që i pikonte nga duart, ai qetësisht kaloi aty pranë. Nuk u shqetësua dhe vazhdoi të ecte”, tha një dëshmitar. “Ai ishte i veshur zi, me syze dielli të zeza dhe ishte tullac”. “Pamë dy fëmijë që bërtisnin me zë shumë të lartë, derisa autori po e therte dikë me diçka që dukej si një thikë e madhe. Dukej sikur ishim në një film horror” tregoi një tjetër qytetar.