Kosovë/ Debate të ashpra në Kuvend për menaxhimin e pandemisë

107

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, po debatojnë sot në një seancë plenare lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. Nënkryetarja e Kuvendi të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se situata me pandemi është përkeqësuar. Ajo tha se numri i madh i rasteve të të prekurve me virus dhe vdekjeve është alarmant.

“Qeveria nuk garanton siguri dhe mbështetje për qytetarët. Logjika nga çka udhëheqin qeveritarët tregon se barrën më të madhe e kanë hedhur te vetë qytetarët. Kërkohet prej tyre t’ia dalin si të munden. Jemi në një krizë të shumëanshme nga COVID-19. Situata është krejtësisht jashtë kontrollit”, tha ajo.

Edhe deputetët e tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje adresuan kritika ndaj Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, për siç thanë, dështimin në menaxhimin e gjendjes me pandeminë COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se në rrethanat aktuale do të ishte mirë që të gjithë të bëhen bashkë për të luftuar pandeminë.

“Të gjithë ne do të jemi faqebardhë kur do ta largojmë virusin. Në këtë kohë duhet mobilizim e kurajë, e solidaritet pozitë e opozitë. Secili ka mundësi të japë kontribut për t’u përballur me pandeminë”, tha ministri Zemaj duke shtuar se në harmoni me ligjin janë hartuar edhe plane.