Kosovë/ Arrestohet për rryshfet prokurorja e krimeve të rënda, po shkonte të pushonte në Austri

414
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar arrestimin e prokurores së Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vaide Badivuku.
Sipas Prokurorisë Speciale, Badivuku është arrestuar së bashku me dy ndërmjetësues ndërsa i treti gjendet në arrati.
Prokurorja Badivuku është arrestuar në pikën kufitare në Merdare teksa po synonte të kalonte kufirin për të shkuar në pushime në Austri.
Prokuroria ka bërë me dije se Badivuku është zënë me 5 mijë euro para kesh ndërsa dyshohet se ato para i ka marrë ryshfet në një rast që ajo po e hetonte, rast për të cilin ajo kishte kërkuar gjithsej 22 mijë euro.
“E pandehura V.B., është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve. Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet”, thuhet në komunikanët e prokurorisë.
Sipas të njëjtës, prokurorja Badivuku është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe veprën penale të ushtrimit të ndikimit, raporton “Zëri”.
Badivuku ka qenë prokurore e cila e ka hetuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gani Gecin për veprën penale të vrasjes. Ndërsa ende pa e ngritur aktakuzën ndaj tij, ajo kishte paraqitur kërkesë që i pandehuri Geci të lirohet nga masa e paraburgimi. 
Sigal