Kosovë: 18 vjet pas luftës, mungesa e personave të zhdukur ende një plagë e hapur

500
Kosovë: Ende 1656 persona konsiderohen të zhdukur nga periudha e luftës në vitet 1998/99. Zyrtarë nga Komisioni për të Zhdukurit i thanë DW-së, se “mungesa e personave të zhdukur ende mbetet një plagë e hapur”.
Kushtri Gara, që udhëheq njësinë e Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, thotë se “nga 1656 personat e zhdukur, 75% syresh janë shqiptar të Kosovës, ndërsa, të tjerët të përkatësive të tjera etnike tjera përfshi edhe serbët e Kosovës”.
Nëntë lokacione në Kosovë tash për tash janë duke u hulumtuar apo janë hulumtuar për varreza të mundshme masive. Katër lokacione të reja do të hulumtohen në territorin e Serbisë, por që autoritet serbe akoma nuk kanë dhënë leje për nisjen e gërmimeve.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Brukselit, mirëpo, çështja e personave të zhdukur nuk është pjesë e këtyre bisedave, pavarësisht nga insistimi i palës kosovare.
Tash në këtë fazë të dialogut që Prishtina zyrtare po e cilëson si fazën e fundit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, ekipi i Kosovës që do kryesohet nga Presidenti Hashim Thaçi, do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të jetë një nga temat e diskutimit në tavolinën e bisedave.
Nga varreza të ndryshme në Kosovë e Serbi që nga përfundimi i luftës janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore, akoma të pa identifikuar.
Sigal