Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve: Ja kush janë shtetet me më së shumti gazetarë të burgosur

487
Sigal

Të paktën 250 gazetarë janë të burgosur në botë. Në këtë drejtim prin Kina, si një vend autoritar që nuk e toleron pavarësinë e mediave, tha të mërkurën, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ). “Shumica e gazetarëve të burgosur janë akuzuar si “armiq të shtetit” apo për publikimin e “lajmeve të rreme”, theksoi organizata me seli në Nju Jork.

CPJ ka identifikuar të paktën 48 gazetarë të burgosur në Kinë, një më shumë se në vitin 2018. Si vende tjera, ku ushtrimi i këtij profesioni është i rrezikshëm janë: Turqia, Arabia Saudite, Eritrea, Vietnami dhe Irani, shkruan Rel.

Në vendin e dytë pas Kinës është Turqia me 47 gazetarë të burgosur, që shënon ulje të numrit për dallim nga viti 2018, ku numëroheshin gjithsej 68 gazetarë të burgosur. Mirëpo, ky nuk vlerësohet si përmirësim i vërtetë i gjendjes, pasi Ankaraja arriti të mbyllte më shumë se 100 media duke ndjekur penalisht nën akuzat për “justifikim të terrorizmit”. Si pasojë, shumë gazetarë janë frikësuar dhe e kanë humbur vendin e punës.

“Dhjetëra gazetarë në Turqi janë në pritje të gjykimit, ndërsa të tjerët dënohen në mungesë dhe kërcënohen me arrest nëse kthehen në vendin e tyre”, theksoi Komiteti. Arabia Saudite dhe Egjipti kanë nga 26 gazetarë në burg.

Në Arabinë Saudite 18 gazetarë janë burgosur pa e ditur se për çfarë u akuzuan. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është gjithashtu i shqetësuar për rastet e “rrahjeve dhe kequshqyerjes së të burgosurve politikë, përfshirë katër gazetarë”.