Komision i ri në Hollivud për problemin e ngacmimeve seksuale

497
Drejtuesit kryesorë të Hollivudit kanë rënë dakord për ngritjen dhe financimin e Komisionit mbi Ngacmimet Seksuale dhe Nxitjen e Barazisë në Vendin e Punës.
Takimi në Los Anxhelos u organizua nga presidentja e kompanisë Lucasfilm Kathleen Kennedy, themeluesja e Fondacionit Nike Maria Eite, avokatja Nina Shaw dhe investitorja Freada Kapor Klein. Në takim morën pjesë drejtuesit e pothuajse çdo studioje të madhe të Hollivudit.
Themelimi i grupit të ri vjen pas akuzave të shumta për ngacmime seksuale dhe pabarazi në Hollivud.
“Komisioni nuk do të kërkojë vetëm një zgjidhje, por një strategji gjithëpërfshirëse për të trajtuar shkaqet komplekse dhe të ndërlidhura të problemeve të pabarazisë dhe të pushtetit”, tha zonja Kennedy në një deklaratë.
Anita Hill është përzgjedhur për të kryesuar grupin e sapoformuar. Ajo ishte një nga njerëzit e parë që e prezantoi publikun me konceptin e ngacmimeve seksuale kur ajo dëshmoi në vitin 1991 kundër Clarence Thomas në seancën e konfirmimit të Senatit për emërimin e tij në Gjykatën e Lartë.
“Është koha t’i jepet fund kulturës së heshtjes”, tha zonja Hill në një deklaratë. “Kam punuar për këtë çështje për 26 vjet. Ky moment na jep një shans të pashembullt për të sjellë ndryshime reale”.
Anita Hill, profesore e së drejtës në Universitetin Brandeis, e cila ka kryesuar Komisionin e të Drejtave të Njeriut në Shoqatën Ndërkombëtare të Avokatëve, tha se komisioni do të përqëndrohet në çështjet nga “pabarazia e pushtetit, barazia dhe drejtësia, siguria, udhëzimet rreth ngacmimeve seksuale, hulumtimet dhe të dhënat e fundit”.
Artikujt në gazetën New York Times dhe revistën New Yorker që kanë mbuluar akuzat e disa grave për sulmet seksuale të manjatit të Hollivudit Harvey Weinstein, duket se kanë hapur rrugën që njerëz të tjerë të flasin rreth sulmeve seksuale nga një mori personalitetesh të tjerë që kanë përfshirë gazetarët Charlie Rose dhe Matt Lauer, humoristin Louis CK, producentin Russell Simmons, aktorin Kevin Spacey, autorin Garrison Keillor, regjizorin Brett Ratner dhe senatorin Al Franken.
Komisioni tha në një deklaratë se do të mblidhet në fillim të vitit të ardhshëm për të përcaktuar misionin, fushëveprimin dhe prioritetet e tij.
Sigal