John Withers bën skanerin 6 mujor të Rilindjes

491
Sigal

Ambasadori Withers: Sfida kryesore për Shqipërinë, sistemi i drejtësisë

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjatë viteve 2007 – 2010, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se sfida kryesore për Shqipërinë është sistemi i drejtësisë, një sistem, sipas ambasadorit Withers i vetë-diskredituar. Sipas ambasadorit Withers, marrja e statusit të vendit kandidat në BE dhe standardet e larta që duhet të plotësojë vendi në procesin e anëtarësimit, do ta ndihmojë Shqipërinë të kapërcejë problemet e shumta të grumbulluara gjatë 20 vjetëve të fundit.

Hera e fundit që kemi biseduar për Shqipërinë ishte para zgjedhjeve. Qeveria e re socialiste erdhi në pushtet, duke bërë fushatë me parullën “Rilindje”. Tashmë pas 6 muajsh në pushtet, a mendoni se ky premtim është mbajtur?

-Mendoj se, është ende herët ta thuash. Çdo qeveri e re duhet të kalojë përmes disa procesesh, duke të rimësojë mekanizmat qeverisës pasi ka qenë jashtë pushtetit për një kohë të gjatë. Mendoj se 6 muaj nuk është një periudhë e mjaftueshme për të gjykuar, në se ata do t’i mbajnë premtimet apo jo.

Në Qershor Shqipëria pret përgjigje për çështjen e statusit të vendit kandidat në BE, një status që nuk e ka marrë dot prej 4 vitesh. A jeni optimist se këtë herë do të marrë?

-Optimist? Po, mund të them që jam. Por besoj, nuk më takon mua, një qytetar privat, që nuk flas as në emër të qeverisë amerikane, të them se çfarë mund të bëjnë, ose të mos bëjnë europianët. Por statusi kandidat është i rëndësishëm dhe do ta ndihmojë shumë Shqipërinë. Procesi për t’u bërë anëtar i BE-së kërkon plotësimin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Është një proces shumë më i hollësishëm dhe i ndërlikuar, se sa procesi i anëtarësimit në NATO. Dhe në shumë drejtime, si për shembull, për të zgjidhur përçarjet politike që kanë pllakosur Shqipërinë prej shumë vitesh, për të gjetur një arbitër të paanshëm, për të ndihmuar me çështje të tilla jetike, si gjyqësori, apo praktikat ekonomike, ky proces i disiplinuar, që ka patur shumë përfitime për vende tjera, do të ketë përfitime edhe për Shqipërinë. Ka edhe një element tjetër që nuk duhet harruar. Anëtarësimi i Shqipërisë do të jetë përfitues edhe për vetë Bashkimin Evropian. Ballkani historikisht ka qenë një rajon i paqëndrueshëm dhe gjatë historisë së Shqipërisë kemi parë që ajo ka luajtur një rol konstruktiv dhe bashkëpunues për të sjellë qëndrueshmëri dhe paqe në rajon. Pra, në se do të citoja një albanolog të njohur, filologun austriak, Maximilian Lambertz që ka thënë pak a shumë se: “historia njerëzore nuk mund të shkruhej pa shqiptarët”,  për analogji, unë do të thoja sot, se, një Evropë e bashkuar dhe e tërë, nuk mund të krijohet pa pjesëmarrjen e Shqipërisë në të.

Ju përmendët sistemin e drejtësisë, por një element tjetër po aq i rëndësishëm është edhe ajo që përmendi komisioneri Fyle para disa ditësh, nevoja e bashkëpunimit të klasës politike. Gjashtë muaj pas qeverisë së re, në parlament po shohim të njëjtat praktika, si në të kaluarën, të njëjtën gjuhë të papërshtatshme. A ka ndryshuar gjë? 

-Mendoj se, procesi i ndryshimit, në një kuptim realist, kërkon kohë dhe nuk bëhet me shkop magjik. Gjermanisë Lindore, për shembull, iu deshën shumë vite pas bashkimit dhe vetëm tani ka arritur një nivel të krahasueshëm ekonomik me perëndimoren. Procesi i ndryshimit në Shqipëri nuk ka nevojë të zgjasë 25 vjet si në Gjermani, pasi Shqipëria është një vend më i vogël, por procesi i ndryshimit kërkon durim e përkushtim. Nuk mund të ndërtosh një shtëpi për 6 muaj, jo më të ndryshosh një shoqëri.

Ndryshimet e mëdha në Shqipëri filluan para më shumë se 20 vjetësh. Qeveria e re, erdhi në pushtet me moton për të ndryshuar, për të përmirësuar shumë gjera. Por ka shumë njerëz që po ngrenë pikëpyetje për fillimin. Të marrim korrupsionin për shembull, një nga plagët më të rënda për atë vend. Shumë kritikë thonë se, nuk po shkojnë pas të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”. Si mund ta luftojnë ata korrupsionin?

-Ju përmendni probleme madhore. Por a ka ndonjë shoqëri që e ka çrrënjosur korrupsionin dhe aq më shumë për 6 muaj? Por do të vijë dita kur publiku do t’i kërkojë llogari qeverisë: “Ku ke qenë? Çfarë ke bërë?” Nuk jemi ende në atë pikë. Por nga ana tjetër, ka patur disa zhvillime premtuese, siç është ligji për ndarjen administrative që do të jetë shumë pozitiv për zhvillimin e Shqipërisë, reforma e sistemit të pensioneve, që është shumë e rëndësishme në këto kohë të vështira ekonomike, ose masat ndaj ndërtimeve pa leje. Këto janë filiza të reja, por ende nuk e dimë, në se do të rriten për t’u kthyer në bimë të plota. Interesimi im në Shqipëri ka qenë gjithmonë me popullin dhe jo me ndonjë parti a qeveri të veçantë. Ju përmendët korrupsionin. Ai është si një kancer. Gjithë shoqëria sëmuret në se ai nuk trajtohet. Lufta ndaj korrupsionit do të jetë përcaktuese për trashëgiminë e kësaj qeverie. Së dyti, është sistemi i drejtësisë, një sistem  i diskredituar, që në pjesën më të madhe ka diskredituar veten. Ka njerëz të interesuar në Shqipëri që e duan një sistem të tillë drejtësie, për të ndikuar në vendimet e gjykatave për interesa të tyre. Asnjë nga aspiratat e popullit shqiptar nuk mund të plotësohen pa u ndërtuar një sistem gjyqësor i paanshëm që bazohet vetëm tek ligji dhe jo tek interesat e një personi të fuqishëm apo të një partie politike.

Këto probleme në Shqipëri kanë ekzistuar gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve të fundit dhe politikanët nuk kanë qenë në gjendje t’i zgjidhin ato. A mendoni se, shoqëria ushtron trysninë e duhur mbi ta?  

-Kjo është një çështje tejet e rëndësishme. Kur analizoj rëndësinë e zgjedhjeve të qershorit, që ishin zgjedhje historike, jo aq shumë në kuptimin që sollën një parti të caktuar në pushtet, por në kuptimin që krijuan mundësinë e një ndryshimi rrënjësor se si Shqipëria është e strukturuar nga brenda, do me thënë, krijuan mundësinë për një dialog me publikun, që nuk kishte ekzistuar më parë. Për shumë vite, Shqipëria sundohej me një mentalitet diktati, që qeveria miratonte ligje dhe vendi duhet t’i zbatonte. Shpresa ime është që kjo qeveri e përbërë nga njerëz të rinj, me mentalitet të ri, të arsimuar, me një numër më të madh grash, do të dëgjojë atë që thonë njerëzit dhe të hartojë politika dhe të krijojë mekanizma për t’i zbatuar ato.

Por kritikët thonë se kjo qeveri, me njerëz të rinj, siç shpreheni ju, po bën në disa aspekte, ato gjera për të cilat kritikonte qeverinë e mëparshme, si shkarkime nga administrata, apo trysnia mbi institucionet e pavarura?  

-Çdo qeveri do njerëzit e vetë në poste. Por përsa thoni ju, kjo ka qenë një traditë në Shqipëri. Mua më duket se, transferimi i pushtetit ka qenë më pak radikal se në të kaluarën. Por unë nuk jam në brendësi të shumë hollësive, pasi nuk i kam më ato burime informacioni, por qeveria i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë qenë kundër saj. Por përsëri do të thoja që pritshmëritë duhet të jenë në kufij real. Është e lehtë të thuash thjesht “bëje këtë, apo atë”, por kjo nuk është një formë demokratike e të bërit të gjërave. Forma demokratike është përmes bashkëpunimit dhe gjithë-përfshirjes. Përsëri mbetet për t’u parë në se qeveria e re do të udhëhiqet nga këto parime në jetën e saj. Kjo do të varet nga administrata e re, por edhe nga një qëndrim i ri që duhet të kenë njerëzit që nuk janë fatalistë, që nuk janë cinikë, për t’u angazhuar në zhvillimet e vendit. Dhe dua ta mbyll një citim tjetër, të një udhëtari në Shqipëri në vitin 1809, emri i tij ishte Hobhouse në se nuk gaboj dhe ai shkruan se, kur udhëton në territoret e perandorisë osmane dhe i pyet njerëzit se, cilët janë, të përgjigjen, myslimanë, ose të krishterë, por kur pyet një shqiptar, ai të përgjigjet jam shqiptar. Sot u takon gjithë shqiptarëve, që i përkasin partisë që humbi ose që fitoi, ose partive të tjera, të mos harrojnë se janë shqiptarë dhe kanë një mundësi përpara për të përmirësuar vendin e tyre, të mos rinë pasivë, por të marrin pjesë në proces.