Japonia ‘goditet’ nga tajfuni i fuqishëm, evakuohen nga shtëpitë e tyre 9 milionë njerëz

60
Sigal

Nëntë milionë njerëz duhet të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi Japonia u godit nga një nga tajfunet më të fortë, Nanmadol, në të cilin një person vdiq dhe pothuajse 70 u plagosën, raporton BBC.

Tajfuni goditi ishullin më jugor të Japonisë, Kyushu, të dielën në mëngjes dhe parashikohet të kalojë ishullin kryesor të Honshu në ditët në vijim. Dhjetëra mijëra njerëz e kaluan natën e së dielës në strehimore emergjente dhe gati 350,000 shtëpi janë pa energji elektrike. Trafiku dhe biznesi janë ndërprerë dhe vendi është gati për përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu.

Nanmadol solli erëra me shpejtësi deri në 234 kilometra në orë dhe në disa zona u parashikua se do të binte 400 milimetra shi në 24 orë. Shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar. Shumë dyqane dhe biznese të tjera u mbyllën dhe u vendosën thasë me rërë për të mbrojtur pronën, sipas BBC.

Stuhia parashikohet të kthehet në lindje dhe të kalojë mbi ishullin kryesor të Japonisë Honshu përpara se të largohet në det deri të mërkurën. Kryeqyteti Tokio u godit nga reshjet e dendura të shiut.

Një paralajmërim i nivelit të pestë, më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, u lëshua për më shumë se 500,000 njerëz në zona të shumta dhe gjithsej rreth nëntë milionë njerëz u urdhëruan të evakuoheshin.

Nanmadol u kategorizua si një super tajfun nga Qendra e Përbashkët e Paralajmërimit të Tajfunit (JTVC), një term i aplikuar për stuhitë me erëra të qëndrueshme prej 240 km/h ose më shumë. Kjo është e barabartë me një stuhi të kategorisë katër ose pesë.

Kryeministri Fumio Kishida shtyu për të martën një vizitë në Nju Jork, ku do të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të monitoruar ndikimin e stuhisë. Shkencëtarët kanë parashikuar një sezon shumë aktiv uraganesh këtë vit, nën ndikimin e një fenomeni natyror të njohur si La Niña.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, temperaturat më të ngrohta të sipërfaqes së detit në Atlantik dhe Karaibe si rezultat i ndryshimeve klimatike mund të kenë gjithashtu ndikim. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka thënë se ciklonet intensive tropikale ka të ngjarë të rriten globalisht.