Italia në panik, shkon në 250 numri i viktimave

444
Sigal

Nga dje, sot vijon gërmimi për gjetjen e të mbijetuarve. Disa nxirren të gjallë, disa të pajetë. Nuk është e lehtë 24 orë pas tërmetit të fuqishëm të gjesh ende jetë nën gërmadha. Nuk është e lehtë të gërmosh kur toka dridhet ende nga lëkundje tërmeti që nuk kanë të mbaruar. Kërkimet vijuan dhe gjatë natës me pishtarë në duar. Lotë, britma gëzimi sapo dikush nxirret i gjallë nga rrënojat. Familjarë rrethojnë ndërtesat e shembura në pritje të një lajmi të mirë për të afërmin e zhdukur. Kjo është drama sot në zonat e prekura nga tërmeti në Italinë Qendrore.

Autoritetet italiane thanë se ka arritur në 250 numri i personave që humbën jetën nga pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi në orët e hershme të së mërkurës, Italinë qendrore. 365 persona janë plagosur ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e shumë të tjerëve që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Qendra amerikane e kërkimeve gjeologjike tha se tërmeti me një forcë goditëse prej 6.2 ballësh e kishte epiqendrën rreth 10 kilometra në juglindje të qytezës së Norcias, në zonën e Umbrias.

Sipas mediave italiane, mes viktimave shumë jane fëmije, lajm që konfirmohet nga Mbrojtja Civile. Ndërsa qindra të tjerë janë plagosur dhe shumë të zhdukur nën rrënoja, ndërsa rreth 2500 persona u evakuuan. Ndërkohë, nga ora në orë bilanci i viktimave vijon te rritet. Brenda 24 orëve në këto zona ka pasur 300 lëkundje të reja. Mësohet se lëkundje e re me magnitudë 4.5 ballë ka goditur Arquatan dhe Accumolin, me thellësi 10km në orën 05:17. Po sot, ka pasur lëkundje tërmeti 4.3 ballë, në Accumoli dhe Amatrice.

Zona që u godit nga tërmeti në Itali është shumë pranë Aquilas- që u shkatërrua nga një tërmet i fortë në 2009-ën. Në këtë zonë ka shumë ndërtime historike, monumente kulture, të cilat janë rrënuar.