Huaja e re, të martën nisin bisedimet me FMN-në, për krizën Greke

222
Fondi Monetar Ndërkombëtar po shqyrton kërkesën e Greqisë për një hua të re, një hap kyç ky për bisedimet e qeverisë helene drejt përfitimit të programit të ri të shpëtimit.
Letra ndaj institucionit financiar aq shumë të kontestuar nga Syriza, duket se është dërguar nga ministria e financave greke para nisjes së bisedimeve të martën.
Gjithashtu, qeveria ka nxituar të mohojë zërat se ngërçi kishte ardhur për shkak se përfaqësuesit e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kishin kërkuar akses në dosjet e disa ministive. Megjithatë, disa media ndërkombëtare raportojnë se veçanërisht zyrtarët e FMN-së janë të shqetësuar për qendrimet armiqësore të publikut grek ndaj tyre dhe duan të jenë të bindur që vendi ku do të mbahet takimi do të jetë i sigurt.
Pavarësisht shtyrjes me disa ditë, qeveria greke shpreson që ta mbyllë nënshkrimin e marrëveshjes së re brenda mesit të gushtit, pasi në datën 20 të muajit të ardhshëm duhet të shlyejë një këst prej 3,2 miliardë eurosh ndaj Bankës Qendrore Europiane, para të cilat nuk i ka.
Grekët gjithmonë e kanë parë inspektimin e trojkës në Athinë si cënim të sovranitetit të shtetit, por pas gjashtë muajsh bisedimesh të ashpra, qeveria Tsipras u dorëzua pas premtimit të një injeksioni të ri me 86 miliardë euro, që shpresohet të shmangë falimentimin e shtetit dhe daljen e tij nga eurozona dhe Bashkimi Europian.